Kryetari i PS qëllon me kallashnikov fqinjin e tij

Kryetari i Partisë Socialiste në Kelmend qëllon me kallashnikov fqinjin e tij, duke e lënë të plagosur rëndë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Vukël të Malësisë së Madhe në Shkodër, ku 51-vjeçari me iniciale M.Ç., është qëlluar me armë duke mbetur i plagosur. Policia e Shkodrës sqaron se 51-vjeçari ndodhej në shtëpi, kur drejt banesës së tij u qëllua me kallashnikov.
Drejt vendngjarjes u nisën forca të shumta të policisë dhe një grup i FNSH-së, të cilët bënë të mundur identifikimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar. Ai është Vasel Vuçinaj 49 vjeç. Ky i fundit qëlloi me armë drejt banesës së 51-vjeçarit, duke e lënë të plagosur në shpatull. Mësohet se Vasel Vuçinaj është kryetari i degës së Partisë Socialiste në Kelmend. Nga hetimet paraprake, dyshohet se mes dy personave ka ndodhur një konflikt për motive të dobëta.
Në vendngjarje grupi hetimor gjeti 12 gëzhoja, që ishin qëlluar drejt banesës së të plagosurit. Ky i fundit është jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që policia arrestoi autorin e dyshuar dhe vazhdon hetimet për të zbardhur këtë ngjarje.