Aferat me Aeroportin e Kukësit, tender korruptiv 110 mijë euro vetëm për ruajtje objekti

Po bëhen gati dy dekada nga mosfunksionimi i Aeroportit të Kukësit, teksa kostot për ruajtjen e objektit rëndojnë vit pas vit taksapaguesit shqiptarë. Qeveria ka hapur një tender për ruajtjen e objektit edhe gjatë këtij viti, i cili do të kushtojë mbi 14 milionë lekë ose 110 mijë euro.
Agjencia e Prokurimit Publik shpalli garën për kontratën “Ruajtja dhe siguria e Aeroportit Kukës”, me afat 12 muaj, kundrejt vlerës 14,798,323 lekë.Aeroporti i Kukësit që kur u ndërtua në vitin 1999 nuk është vënë asnjë ditë në punë, por ndërkohë ka krijuar harxhime të konsiderueshme në financat publike të vendit.
Aviacioni Civil vetëm ka kosto të larta edhe për mirëmbajten e objektit. Në vitin 2016 u harxhuan 15 milionë lekë për këtë qëllim. Por shpenzimet më të mëdha janë për shërbimet e ruajtjes dhe sigurisë së aeroportit, që llogariten në 14 milionë lekë vetëm për këtë vit.
Me gjithë rrogat e punonjësve, shpenzimet publike për Aeroportin e Kukësit llogariten në miliona euro, që kur ai u ndërtua në vitin 1999.

Shuma që qeveria shqiptare ka shpenzuar gjatë këtyre viteve për mirëmbajtjen dhe sigurinë ka kaluar më shumë se gjysmën e investimit për ndërtimin e objektit.
Por nëse objekti vihet në punë sipas planit të qeverisë do të duhen miliona euro shtesë investime për ta bërë funksional. Duke qenë se kanë kaluar 15 vite nga ndërtimi i tij, kostot e amortizimit janë të larta ndaj duhen investime të reja. Mirëpo qeveria shqiptare shpreson t’i faturojë këto harxhime kompanisë që do të ofrohet për të marrë në administrim këtë aeroport.
Objekti aktualisht është ndërtuar në afërsi të Autostradës së Kombit dhe shihet të jetë me leverdi për fluturimet low cost. Ndërtimi i aeroportit verior kushtoi rreth 12 milionë dollarë, por studimet e fizibilitetit të bëra në dekadën e fundit nuk kanë qenë shumë optimiste. Ndërkohë Ministria e Transportit ka sqaruar se, kompanitë e huaja po interesohen për Aeroportin e Kukësit.