82 shkolla pa mësim për shkak të borës

Shumë shkolla në zonat e thella të Kukësit, Dibrës, Elbasanit dhe Korçës nuk zhvilluan mësim këtë të hënë, për shkak të trashësisë së dëborës. Bllokimi i rrugëve nga ana tjetër pamundësoi edhe transportimin e mësuesve, ndaj në koordinim me Drejtoritë Rajonale të Arsimit, procesi u pezullua, deri në vendime të dyta.
Ministria e Arsimit njofton se në total janë 82 shkolla që nuk zhvilluan mësim sot për arsye të motit të keq. MAS thotë se po monitoron situatën në çdo qark dhe drejtori arsimore.
Bora që ra gjatë ditës së djeshme dhe vazhdon ende, ka izoluar disa fshatra në Verilindje dhe Juglindje. Po kështu një pjesë e madhe e rrugëve kalohen vetëm me zinxhirë. Situata është më problematike në Dibër, Kukës dhe Korçë.
Në Peshkopi kanë rënë gjithë natën reshje bore, dhe për pasojë rruga Peshkopi-Qafa e Buallit është e kalueshme me zinxhirë.