Një duel boksi mes Mourinho dhe Conte

Menaxheri i njohur i boksit, Eddie Hearn, gjatë një konference shtypi, ka deklaruar se ëndërron që një ditë të organizojë një duel boksi mes dy trajnerëve të futbollit, Jose Mourinho dhe Antonio Conte. Dy trajnerë që e urrejnë njëri-tjetrin dhe që nesër do të përballen mes tyre në sfidën klasike të Premier Leaguer mes Manchester United dhe Chalsea, në “Old Trafford”. Kjo ide e Hearn ka lindur pas debateve dhe polemikave që dy trajnerët kanë shfaqur hera-herës mes tyre në konferencat e shtypit, që sipas Hearn nuk ndryshojnë nga ringu.
“Ata janë të dy trajnerë të apasionuar dhe do të më pëlqente të organizoja një duel boksi mes tyre. Do të ishte një përballje ku do të bënim shumë parà, pasi të gjithë do të dëshironin të shihnin një sfidë të tillë, e veçantë”, tha Eddie Hearn për të përditshmen britanike “The Sun”. Më tej, menaxheri i boksit, shtoi se një duel boksi mes tyre do të ishte diçka fantastike. “I kam ndjekur shpesh të dy kur flasin dhe veprojnë, ndaj jam i sigurt se një duel boksi mes tyre do të ishte diçka fantastike. Personalisht do të bëja tifo për Mourinho, që ka marrë disa leksione nga Joshua”, deklaroi Eddie Hearn.

Mourinho “driblon” të kaluarën
Jose Mourinho do të përballet me ish-ekipin e tij, Chelsea, të dielën, kur të besuarit e Antonio Conte do të vizitojnë “Old Trafford”. Portugezi ka pasur dy eksperienca në klubin londinez dhe është trajneri më i suksesshëm në historinë e Chelsea, duke fituar një total prej tetë trofesh. “Mbretërimi” i tij i fundit në “Stamford Bridge” përfundoi në dhjetor të vitit 2015, pas një nisjeje të trazuar të mbrojtjes së titullit të Premier League, duke i hapur rrugën vetes që të bashkohej me Manchester Unitedin majin e ardhshëm. Këtë sezon, e kaluara e Mourinhos me Chelsea është fokusuar disi nga grindjet e tij me Antonio Conte. Pasi trajneri i “Djajve të Kuq” kritikoi mënyrën e festimit të Contes për fitoren ndaj të tijve, italiani u përgjigj duke e etiketuar Mourinhon një “njeri të vogël dhe të rremë”. Ai ishte i kujdesshëm për të mos i rindërtuar gjërat dy ditë para ndeshjes në “Old Trafford”:
“Nuk dua të flas për të, aspak. Të luaj kundër Chelsea do të thotë gjithnjë e më pak nostalgji. Sigurisht, u largova pak vite më parë dhe sezoni i ardhshëm do të jetë i treti, pastaj i katërti e me radhë. Hapi pas hapi, ndjenja që unë isha trajner i Chelsea, mendoj se po zhduket, kështu që kuptimi i vërtetë i kësaj loje është që dy klube të mëdha do të luajnë një ndeshje më shumë. Natyrisht, kam një lidhje të mirë me bordin drejtues të Chelsea.

Nuk harroj se sa mirë u sollën me mua në një periudhë të vështirë, kur babai im u largua nga kjo jetë. Ata treguan se më shohin si një mik, si dikë që ka bërë më të mirën dhe ka respektuar klubin. Me lojtarët nuk kam ndonjë problem, ndonjë keqardhje, ndonjë “gur në këpucën time”. Pa probleme jam ndarë edhe me tifozët. Me shumë prej tyre e ndiej këtë ndjeshmëri në rrugë, ekziston një marrëdhënie, që normalisht duhet të jetë e tillë përgjithmonë. Kur luaj në “Stamford Bridge” ka edhe ndonjë kundërshtim nga tifozët, por janë vetëm reagime emocionale të momentit”.