Dokumenti i deklasifikuar i CIA-s për bombën në ambasadën sovjetike, pse i duhej diktaturës

CIA ka hedhur dritë mbi ngjarjen e 1951, ku në ambiente e ambasadës sovjetike në Tiranë shpërtheu një bombë. Por sipas një dokumenti të deklasifikuar, për amerikanët gjithçka ishte e planifikuar nga regjimi vendas. Bomba do shpërthente në një takim që do zhvillonte diktatori aty, por vdiqën njerëz të pafajshëm. Sipas amerikanëve, gjithçka ishte pretekst për të nisur një fushatë spastrimesh në vend.

Korrik 1977
Reduktim i mundshëm i lidhjeve Shqipëri-Kinë
Raportimet e fundit thonë se Shqipëria i ka kërkuar Kinës të tërheqë ekspertët e saj teknikë nga vendi, sipas mediave të Beogradit. Nuk është e qartë nëse kërkesa është për tërheqjen e menjëhershme të stafit teknik kinez, apo të tërheqjes pas kompletimit të projekteve në zhvillim. Burimet mediatike jugosllave flasin për prezencën e stafit teknik e diplomatik kinez të stacionuar në Shqipëri, në shifra nga 700 deri në 2000. Raportimet nuk mund të konfirmohen dhe ambasada shqiptare në Beograd i mohon ato, por kjo është gjë që pritet nga pala shqiptare duke pasur parasysh linjën e saj të sjelljes. Në fillim të këtij muaji Shqipëria raportohet të ketë tërhequr studentët ushtarakë që po trajnoheshin në akademinë ajrore të forcave kineze dhe ka vendosur të mos dërgojë studentë të tjerë vitin që vjen. Përpjekjet e Shqipërisë për të reduktuar varësinë nga asistenca e Kinës vijnë pas vendimit të saj për publikimin e një editoriali në 7 korrik, mbi ndryshimet ideologjike të dy regjimeve. Pala kineze duket gjithsesi e patrazuar dhe nuk i jep rëndësi problemeve të sinjalizuara nga shqiptarët.

Mediat kineze mbrojnë linjën politike të regjimit dhe politikën e jashtme, por pa iu referuar drejtpërdrejt akuzave shqiptare. Deri kohët e fundit, ndihma ekonomike dhe ushtarake kineze ka vazhduar të vijë në Shqipëri, por disi e reduktuar. Ka vite që nuk është nisur asnjë projekt i ri në Shqipëri, që prej atyre të nisur në fillim të viteve 1970-të. Hapjet e kohëve të fundit të zyrtarëve shqiptarë ndaj vendeve perëndimore, veçanërisht ndaj Greqisë dhe Francës, mund të sinjalizojnë një ndryshim të mendësisë së udhëheqjes, por padyshim këto tentativa nuk do të mund të zëvendësojnë boshllëkut që do të krijohen nga ndalimi i plotë i ndihmës së Kinës.

Prill 1951
Shpërthimi bombës në legatën sovjetike në Tiranë
Autoritetet shqiptare deklaruan se asnjë person nuk u plagos nga bomba artizanale e hedhur në oborrin e legatës sovjetike më 19 shkurt 1951. Bomba raportohet se ishte ndërtuar me vajguri të presuar dhe ishte llogaritur të shpërthente në kohën e një takimi mes kreut të partisë Enver Hoxha dhe disa këshilltarëve të paspecifikuar sovjetikë. Në Shqipëri besohet gjerësisht se bomba ishte një inskenim i autoriteteve shqiptare për të justifikuar fushatën e radhës së spastrimeve në parti. Ky version mbështetet dhe nga fakti që pas saj u arrestuan rreth 1000 shqiptarë (50 prej të cilëve u pushkatuan pa gjyq dhe familjet u internuan në kampe), shumica e të cilëve ishin anëtarë të ushtrisë dhe policisë së vendit. Dy inxhinierë shqiptarë (Nocka dhe Filipeo) gjithashtu ishin arrestuar. Burime jashtë Shqipërisë njoftojnë se bomba në legatën sovjetike shkaktoi vdekjen e tre oficerëve dhe pesë punonjësve, si dhe plagosi dhjetë anëtarë të tjerë të stafit. Raportimet thonë se menjëherë pas shpërthimit rojet e armatosura sovjetike nisën të shtinin drejt turmave të civilëve duke vrarë fisnikun Thoma Katundi, një punëtor të quajtur Pjerin Guraziu, një doktor, gjashtë policë dhe një ish-deputet të quajtur Niko Lazo. Bomba ka sjellë një gjendje paniku në të gjithë vendin, dhe si rezultat shumë komunistë dhe jo-komunistë janë larguar në male, dhe të tjerë ia kanë dalë të arratisen në Jugosllavi. Autoritetet vendase kanë bërë rreth 300 arrestime në Tiranë dhe rreth 600 në provincat e tjera. Të njëjtat raportime thoshin se “Komisarët e Partisë” të Tiranës, Elbasanit e Vlorës janë arrestuar për disa muaj, dhe zyrtarë të tjerë të rangut të lartë janë spastruar nga vendet e punës. Spiro Pano dhe Rita Marko, zëvendëskryeministri dhe ministrja e Industrisë, raportohet se kanë dorëzuar dorëheqjen e tyre menjëherë pas tentativës së bombës.

Ndërkohë Shqipëria po shton punën për përmirësimin e komunikimeve në vend, në masa që po përshkruhen më shumë si ofensive sesa defensive. Një operacion madhor police po kryhet gjithashtu nga sovjetikët, me qëllim çrrënjosjen e qendrave të mundshme të inteligjencës së huaj.
Komente; Të tjera raportime bëjnë fjalë për ekzekutimin e njëfarë Zheko (ose Zhelko) dhe të Pjerin Guraziut. Në një transmetim të Radio-Tirana më 5 mars 1951 raportohet për lirimin nga detyra të zyrtarëve të lartë dhe kalimin e tyre në “detyra të tjera të rëndësishme”. Ndërsa në transmetimin e 2 prillit thuhet se Rita Marko, sekretare e Partisë së Punës, ishte prezente në kongresin sindikatave të punës dhe kulturës të mbajtur në Tiranë në 1 prill 1951.