Sulmuesi i Atletico shkon në Kinë, 10 milionë euro në sezon

Sulmuesi i Atletico Madrid, Yannick Carrasco, do të shkojë te skuadra e kampionatit kinez, Dalian Yifang dhe klubi spanjoll do të marrë 30 milionë euro. Vetë futbollisti do të përfitojë 10 milionë euro për secilin nga tre sezonet e ardhshme. Kampionati kinez do të fillojë në muajin mars dhe deri më 28 shkurt merkato është e hapur. Kësisoj Dalian Yifang arriti të marrë futbollin belg që bëhet i dyti nga përfaqësuesja e këtij vendi që do të zbarkojë në Kinë. Përpara 24-vjeçarit ishte Axel Witsel, që gjatë muajit janar firmosi për Tianjin Quanjian. Klubi kinez po synon të marrë edhe shokun e tij te Atletico Madrid, Fernando Torres, për të cilin trajneri Diego Simeone ka dhënë leje që të largohet. Carrasco u la jashtë ekipit që luajti në Europa League kundër FC Copengahen, duke dhënë sinjalin se marrëveshja e tij me klubin kinez është finalizuar. Ish-sulmuesi i Monaco ka pasur oferta edhe nga klubet e Premier League si Chelsea, Arsenal dhe Tottenham, por mesa duket ka zgjedhur “malin” me para që do të marrë në Kinë, përpara futbollit kompetitiv në nivelet më të larta.