Përplasja me dy të vdekur në Maminas klasifikohet si ngjarje aksidentale

Policia mbyll hetimet dhe dërgon në Prokurorinë e Durrësit dosjen e aksidentit të ndodhur mbrëmjen e 21 shkurtit në Maminas. Nga përplasja e një makine tip “Benz” me taksinë në autostradën Durrës-Tiranë humbën jetën drejtuesi i taksisë Bujar Agalliu, si dhe pasagjerja 23-vjeçare Elena Abdillari.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se, ngjarja është klasifikuar aksidentale dhe se nuk korrespondon që 23-vjeçarja të ketë pasur lidhje me Fatjon Zhaporja. Dyshohet që Fatjon Zhaporja të ketë qenë me një person tjetër në mjet në momentin kur ka ndodhur përplasja.
Kërkimet për Fatjon Zhaporjen janë përqendruar në zonën e Krujës dhe Laçit po ende nuk ka asnjë rezultat. Dyshohet se Fatjoni është ndihmuar nga një person i dytë për t’u largur nga vendi i aksidentit, ku braktisi mjetin e tij

Ndërkohë Dardan Gjeka, që figuron si pronari i makinës ka dëshmuar se ia ka shitur makinen Fatjon Zhaporjes. Bëhet e ditur se, Gjeka është paraqitur në Polici dhe ka deklaruar se e ka shitur makinën shtetasit Fatjon Zhaporja tashmë në kërkim.
Aksidenti tragjik u shënua rreth orës 23:30 minuta. Elena Avdillari 23 vjeçe po udhëtonte me taksi nga Durrësi drejt Tiranës, për t’u rikthyer në banesë, ku nuk mbërriti kurrë. Makina u godit nga pas nga një makinë “Benz”, që siç mësohet nga Grupi hetimor udhëtonin me shpejtësi të lartë. Burime pranë grupit herimor thanë se, taksia e drejtuar nga Agalliu po udhëtonte drejt Tiranës në korsinë e shpejtësisë, në kohën kur mjeti me targa AA 060 SP e ka goditur në pjesën e pasme me një shpejtësi që sipas të dhënave të para shkonte deri në 150 km për orë.
Goditja ka qenë aq e fortë, sa taksia ka ecur rreth 100 metra zvarrë mbapsht, dhe pasi ka hasur një bordurë është rrotulluar në ajër, duke përfundur përmbys pranë këtij karburanti. Mjeti që dyshohet se shkaktoi aksidentin u gjet i braktisur dhe me njolla gjaku në të.