Mafia e tokave në Spille, zbardhet skema e grabitjes nga zyrtarët e PS

Dëshmia e protokollistes së Hipotekës Kavajë, Aida Gjoci, e cila është gjithashtu nën hetim për skandalin e tokave në Spille, ka zbërthyer mekanizmin se si e kanë shkelur detyrën në vite punonjësit e kësaj ZVRPP për të regjistruar pyjet me pisha që në letra rezultojnë tokë arë. 6 punonjës të Hipotekës Kavajë, të emëruar nga ish-kryetari i kësaj bashkie, Elvis Roshi, që nga ish-kryeregjistruesi Seid Cikalleshi, pjesë e dosjes “Spilleja 1”, deri tek pasuesi i tij në të njëjtën detyrë, Asim Arkaxhiu, janë nën arrest si të dyshuar për shpërdorim detyre.
Prokuroria e Kavajës shprehet në dosje se, punonjësit e Hipotekës që nga regjistruesit deri te juristët, kanë përdorur të njëjtin mekanizëm në vite, duke administruar akte të marrjes së Tokës në pronësi të falsifikuara. Më tej, megjithëse Këshilli i Qarkut ju kthente përgjigje negative, ata kanë fshehur dhe zëvendësuar këto konfirmime, duke i zëvendësuar me rrethana të rreme. E njëjta aferë është përdorur prej tyre edhe për tjetërsimin e poligonit të qitjes në Rreth Greth, ku siç rezulton shkresa e Këshillit të Qarkut Tiranë e vitit 2015, drejtuar Hipotekës Kavajë për të ndryshuar zërin kadastral, është e falsifikuar.

E falsifikuar është edhe shkresa e Hipotekës Kavajë, që megjithëse me të dhëna false që tregojnë korrespodencë me Këshillin e Qarkut, nuk iu është dërguar as dorazi as me postë. Madje, shkresa e korrespodencës për të marrë informacion nga Këshilli i Qarkut është marrë dorazi nga shtetasi Fisnik Qosja, një ish-jurist i Hipotekës, që më pas është punësuar në kompaninë “Idea Tel” të Idlir Karkinit. Kjo shkresë duhet të dorëzohej në fakt në Këshillin e Qarkut, që më tej i është falsifikuar edhe përgjigjja, duke konfirmuar vijimin e regjistrimit si pronë private të bazës ushtarake.
Zyrtarët e Hipotekës janë të dyshuar se jo vetëm kanë bashkëpunuar për të përgatitur këto rrethana të rreme, por duke patur informacion se çfarë po ndodhte me tokat në Spille, kanë arkivuar shkresat origjinale të Këshillit të Qarkut Tiranë, që më pas vuri në lëvizje akuzën për të hetuar.
Por situata nuk ka qenë e panjohur edhe për një institucion tjetër, siç është Kontrolli i Lartë i Shtetit. Prokuroria thotë se në vitin 2014, KLSH ka audituar veprimet e punonjësve të shtetit për 31 pasuri në Spille me sipërfaqe totale prej 107.364 metra katrore.
Aty konstatohen shkelje në regjistrimin e tyre dhe rekomandohet të merren masa nga drejtuesit e Hipotekës. Por kryeregjistruesi Asim Arkaxhiu thotë se Prokuroria vepron në kundërshtim me urdhrat e KLSH, duke lejuar transaksionet për to, me vendime të paarsyetuara.

Avokatja e Karkinit largohet nga seanca gjyqësore

Seanca gjyqësore për abuzimet me pronat në Spille ka rinisur me debate. Gjatë seancës, avokatja e biznesmenit Idlir Karkini është larguar nga seanca gjyqësore pasi, sipas gjyqtarit Luan Lusha, Karkini duhet të arrestohet, pastaj të paraqitet me mbrojtje në Gjykatë. Ndërkohë avokati i Asim Arkaxhiut, ish-regjistruesi ZVRPP-së Kavajë proceduar për shpërdorim detyre, i ka kërkuar gjyqtarit Lusha të japë dorëheqjen, sipas tij ai ka konflikt për të gjykuar këtë çështje. “Hiq dorë nga procedura. Ne jemi fqinj dhe i pandehuri është nipi im”.
Gjyqtari i Kavajës, Luan Lusha ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Rrethit për caktimin e masës së sigurisë ndaj 10 personave, mes tyre dhe biznesmenit Idlir Karkini. Në seancë u paraqit edhe kryetari i Bashkisë Rrogozhinë, Beqir Nuredini, për të cilin është marrë masa e sigurisë “detyrim paraqitje”.

Zyrtarët akuzohen si të përfshirë në tjetërsimin e pronave në bregdetin e Spillesë në Kavajë. 8 personat e përfshirë në skandalin e përvetësimit të pronave në Spille janë, Asim Arkaxhiu, shpërdorim detyre, ish-regjistruesi ZVRPP Kavajë, Aldo Kila, shpërdorim detyre kryer në bashkëpunim, jurist pranë ZVRPP Kavajë, Idlir Karkini, “pastrim i produkteve të vepres penale”, biznesmen. Julian Zhegu shpërdorim detyre dhe falsifikim i dokumentave, noter, Arbër Aliu, shpërdorim detyre dhe falsifikim i dokumentave, noter. Beqir Nuredini, shpërdorim detyre, ndalim i daljes jashtë shtetit dhe detyrim paraqitje, kreu i Bashkisë Rrogozhinë. Shpendi Dema, shpërdorim detyre dhe falsifikim i dokumentave, jurist Bashkia Rrogozhinë. Arben Daja, shpërdorim detyre dhe falsifikim i dokumentave, sekretar Protokolli i Bashkisë Rrogozhinë, Artur Tosku, shpërdorim detyre, kryeinspektor IMTV, Arben Kaja, shpërdorim detyre, specialist IMTV.
Operacioni “Ranishtja2” prangosi edhe 10 persona, duke e çuar në total në 23 numrin e zyrtarëve, ish-zyrtarëve dhe personave të tjerë të përfshirë në skenën masive të tjetërsimit të tokave në bregdetin e Spillesë, midis të cilëve edhe kreu i Bashkisë së Rrogozhinës, Beqir Nuredini, i akuzuar për shpërdorim detyre, ndaj të cilit është caktuar masa e sigurisë detyrim me paraqitje.