Juventus arrin marrëveshjen me mbrojtësin e United

Juventus nuk ndalet kurrë në merkato dhe konkretisht po punon që tani për sezonin e ardhshëm. Një nga objektivat kryesorë është Matteo Darmian, i cili ndiqet prej kohësh dhe flitet se marrëveshja është arritur pasi mbrojtësi ka vendosur të largohet nga Manchester United, sepse nuk është mes të preferuarve të trajnerit Jose Mourinho. Ai ka një kontratë me “djajtë” deri në qershor 2019, por do të largohet një vit më parë për të marrë vendin e Lichtsteiner, i cili nuk do të rinovojë bashkëpunimin me “Zonjën e Vjetër”. Darmian, në Manchester që nga viti 2015, në këtë sezon ka luajtur 12 ndeshje në të gjitha veprimtaritë, mes të cilave vetëm 4 në Premier League dhe 3 në Champions League. Pra, Mourinho nuk i ka dhënë kurrë hapësirë sivjet, pavarësisht se në sezonin e kaluar pati disa mundësi. Sipas “Corriere dello Sport”, mbrojtësi i ka kërkuar largimin klubit anglez, menjëherë sapo është kërkuar nga Juventus. Në Serie A, ai ka luajtur me Torinon nga viti 2011 deri në vitin 2015.