Ballina Ekonomi Betoni nuk ndalet, investimet e biznesit shënojnë rritje të shpejtë në toka...

Betoni nuk ndalet, investimet e biznesit shënojnë rritje të shpejtë në toka e ndërtesa

Bizneset rritën investimet në pasuri të paluajtshme, si toka dhe ndërtesa gjatë periudhës 2010-2016. Sipas të dhënave nga Anketa Strukturore e Ndërmarrjeve të përpunuara nga “Monitor” para gjashtë vitesh nga totali i investimeve, 50% shkuan për makineri, mjete transporti, ndërsa më 2016, ky zë është rrudhur në vetëm 27%.
Sipas të dhënave të INSTAT, investimet e bizneseve në toka dhe banesa në vitin 2016 zunë 55% të totalit të investimeve të biznesit në raport me 33% që investimet ishin në këtë zë, në vitin 2010.
Pas krizës së vitit 2008, kur bizneset nisën të orientoheshin nga ndërtimi, në sektorë të tjerë pati një lulëzim të investimeve në fabrikat e përpunimit të qumështit, vajit dhe fasonit. Mirëpo konkurrenca nga importi dhe rënia e konsumit në tregun vendas e bënë kthimin e investimeve nga këto impiante të vështirë, duke i rikthyer investimet e biznesit në sektorin e ndërtimit.
Gjithashtu investimet në mjete transporti në raport me totalin erdhën në ulje gjatë 2016.
Në vlerë totale, investimet e biznesit nga 2010 – 2016 janë rritur me 158%, por kjo rritje i dedikohet investimeve në projektin dhe TAP dhe HEC-ve në lumin Devoll.
Orientimi i investimeve në sektorë si ndërtimi e sidomos në toka dhe ndërtesa ka ulur produktivitetin e punës. Bizneset shqiptare kanë punësuar më shumë punonjës në vitin 2016, por, në kushtet kur nuk investojnë në teknologji, kanë marrë më pak prodhim dhe të ardhura prej tyre.

Kjo do të thotë që, punonjësit shqiptarë kanë rezultuar më pak efektivë, sipas të dhënave të INSTAT, i cili ka matur efektivitetin e fuqisë punëtore, duke llogaritur vlerën e prodhimit për të punësuar.
Rënia e produktivitetit në një kohë që punësimi dhe prodhimi rritet është një tregues i investimit të ulët në teknologji dhe është e dukshme në disa industri si atë nxjerrëse, të energjisë, përpunuese etj.
Sipas të dhënave të përpunuara nga “Monitor”, rezulton se sektori që ka pasur uljen më të lartë të produktivitetit është ai i industrisë nxjerrëse, nga 6,941 mijë lekë, në 5,750 mijë lekë, me një rënie prej 17%.
Edhe sektori i energjisë, që ka vlerën më të lartë të prodhimit për të punësuar, me 6,363 lekë në vit, pa një rënie të këtij treguesi me 2.7%.
Në rritje ka qenë produktiviteti në sektorin e ndërtimit, ku prodhimi për të punësuar rezultoi 5,343 mijë lekë në vit, me një zgjerim prej 6.4%, apo 319 mijë lekë më shumë. Ndërtimi po tërheq masivisht kapitalet e lira së fundmi, teksa sipërmarrësit vlerësojnë se vetëm ky sektor gjeneron fitime të kënaqshme edhe të shpejta. Edhe nga tregues të tjerë të INSTAT, për fitimet dhe normat e fitimit në ekonomi, ndërtimi rezulton me një normë fitimi prej rreth 12%, e dyta më e lartë në vend, pas shërbimeve.

Exit mobile version