FAO: 290 mijë shqiptarë nuk ushqehen dot, Rama u shton edhe 20 mijë familje

Lulzim BASHA

Mblidhemi përsëri në këtë sallë sot dhe përpara kemi një qeveri dhe një kryeministër të papërgjegjshëm, një mazhorancë të falimentuar politikisht, moralisht dhe mendërisht që nga fillimi e deri në fund të vetmin avaz ka sulmet ndaj opozitës.
Asnjë fjalë nuk thanë sot për mbi 20 mijë familje shqiptare, të cilëve iu është hequr ndihma ekonomike dhe buka e gojës pa iu dhënë asnjë shpjegim.
Asnjë ndjenjë dhembshurie! Nuk duan t’ia dijnë, nuk i shohin, nuk i dëgjojnë, nuk shkojnë t’i vizitojnë. Është e njëjta kategori kur zuzarët kanë zgjedhje shkojnë dhe i blejnë me thesin e miellit, me 50 mijë lekëshin e Habilajt, Balilajt, Saimir Tahirit e të Edi Ramës. Por menjëherë pas zgjedhjeve i braktisin në mjerimin e tyre. Akoma më keq ua thellojnë më shumë mjerimin, iu heqin edhe kafshatën e fundit për t’i detyruar të marrin dy rrugë: ose largimin nga vendi, ose të pranojnë prapë 50 mijë lekëshin në procesin e ardhshëm kriminal të shitblerjes së votës.
Vendimi për heqjen e ndihmës ekonomike, ndryshe nga ç‘thanë në mënyrë të turpshme disa prej parafolësve, është vetëm i një njeriu. Është vendimi kriminal i Edi Ramës që iu heq bukën e gojës mijëra familjeve anembanë, pa asnjë shpjegim dhe pa asnjë bazë ligjore.
Ndihma Ekonomike është një detyrim i shtetit për të gjitha familjet që nuk kanë të ardhura.

Kanë shpikur një sistem pikëzimi, të cilën refuzojnë ta bëjnë transparent.
Ministria është në shkelje dhe abuzim të detyrës, tregoi në limitet e kohës se po të kesh sobë me dru nuk ke të drejtë të marrësh ndihmë ekonomike edhe kur nuk ke rrogë, nuk ke pension, nuk ke asnjë të ardhur.
Por refuzon të tregojë se çfarë sistem pikëzimi zgjodhën këta për të përjashtuar mijëra familje nga e vetmja e ardhur me të cilën mbajnë frymën gjallë. Pra, është një krim i dyfishtë; është një krim ndaj këtyre familjeve, pa dyshim një vepër penale e shpërdorimit të detyrës po të kishim një Prokurori të pavarur, do ta merrte menjëherë të pandehur marionetën e Edi Ramës dhe vetë Edi Ramën.
Sepse nuk ka krim më të madh, nuk ka krim më të madh sesa me vetëdije t’iu heqësh bukën e gojës më të pamundurve.
E keni lexuar dhe unë e kam parë me sytë e mi, sikundër e kanë parë të gjithë kolegët e mi të opozitës, gjendjen e mjeruar ekonomike të vendit.
Vini këtu të krekosur nga milionat që keni vjedhur përmes pushtetit tuaj abuziv dhe e mohoni këtë realitet.
Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë, FAO, botoi në vitin 2017, vitin që lamë pas, shifrën prej 290 mijë shqiptarësh që nuk kanë ushqim mjaftueshëm. Ky raport duhet të ishte një sirenë alarmi për çdo qeveritar të përgjegjshëm. Ky raport nuk duhet ta linte të flinte gjumë legjitim, një kryeministër i cili të paktën formalisht ndihet i përgjegjshëm para qytetarëve.

Por çfarë bëri Edi Rama?

I shtoi këtyre 290 mijë shqiptarëve edhe të paktën 20 mijë familje, dhe nuk llogaris këtu afërsisht edhe 5 mijë të tjera të personave me aftësi të kufizuara; e mijëra e mijëra të tjera, të cilat nuk e kanë, por e meritojnë ndihmën ekonomike, sepse nuk kanë asnjë të ardhur.
Nuk kanë asnjë të ardhur, sepse në 5 vite regjimi korruptiv të Edi Ramës, me politikat korruptive të taksave të larta, të rritjes së çmimit të energjisë dhe të naftës, mbylli qindra, mijëra biznese. Jo vetëm që nuk hapi 300 mijë vendet e premtuara, por mbylli mijëra vende pune.
Ky pra është përgjegjësi për mjerimin e thelluar që konstatojnë organet e besueshme ndërkombëtare dhe jo INSTAT-i, i cili është për vete për ndjekje penale, për falsifikimin e të dhënave zyrtare.

Erdhi këtu dhe dërdëlliti një nga parafolësit, duke na treguar rritjen ekonomike.
Ja cilat janë faktet e vetë INSTAT-it:
Bujqësia ulet numri i të punësuarve, por rezulton me rritje ekonomike,
Tregtia me shumicë ka rritje,
Tregtia me pakicë ka ulje,
Punësimi, rritja është në moshën mbi 64 vjeç.
Qesh ti (i drejtohet Ervin Bushatit), se i ka falsifikuar të dhënat ajo. Por nuk është vetëm ajo për burg, janë ata që ja shtyjnë dorën.
Kjo është rritja juaj ekonomike.
Kjo është një dramë e madhe, e cila shpaloset jo më larg se 2 km nga kjo sallë.
Kam qenë atje dhe i kam parë para dy ditësh dhe nuk iu kam besuar syve. Shkoni dhe shikojeni!
Po ku keni ju guxim ta shikoni varfërinë që keni thelluar me korrupsionin, hajdutërinë dhe babëzinë tuaj.

Lekët nuk mungojnë, por janë në duart e 50 banditëve

Lekët o shqiptarë nuk mungojnë, ky shtet i ka lekët për të paguar mjaftueshëm ndihmë ekonomike, për të gjitha familjet në nevojë, që të mos ketë asnjë familje dhe asnjë fëmijë që të shkojë të flejë me barkun bosh, pa bukë, pa drita, pa ujë.
Por këto lekë shkojnë në xhepat për luksin e Edi Ramës dhe ministrave të tij, ministrit të bixhozit, ministrit të inceneratorëve, ministrit të CEZ-it, hajdutëve dhe bandës së hajdutëve këtu prapa. Këta i kanë lekët. Dhe dje ua tha Transparency International, ua tha, kur konfirmoi përshkrimin e Komisionit Europian për një Shqipëri me një shtet të kapur nga një bandë qeveritare të zhytur në korrupsion dhe krim; jua tha duke zbritur vendin në një vit nga vendi i 83-të në 91-ishin, përfshi korrupsionin zgjedhor; jua tha duke konfirmuar një lajm të keq që vetë e pranoi me gjysëm zëri kryepërgjegjësi.
Po, negociatat dhe Europa janë në rrezik prej korrupsionit, prej krimit, prej Edi Ramës.
Ndaj i ftoj qytetarët shqiptarë t’i bashkohen punonjësve të By-Pass-it të Fierit, të cilët i përshëndes për protestën e tyre, t’i bashkohen të përndjekurve, pronarëve, studentëve, pedagogëve, artistëve.
Opozitën e kanë e do ta kenë në krah, ta çlirojmë Shqipërinë nga këta 50 banditë.
Ne jemi shumica, të marrim fatin tonë në duart tona!