Banorët e Kukësit në protestë: Qeveria po na vjedh edhe ujin

Banorët e nëntë fshatrave të Topojanit dhe Shishtavecit, protestojnë kundër vendimit të qeverisë për ndërtimin e 5 HEC-ve në këta zona. Banorët thonë se, ndërtimi i tyre do të thoshte shkatërrim për mjedisin dhe ekosistemin e zonës.Banorët kërkojnë që qeveria të anulojë vendimin për ndërtimimin e tyre në rast të kundërt, paralajmërojnë përshkallëzim të protestave. Banorët kërkojnë dhe ndihmën e prefektit të Kukësit, Zenel Kuçana.“Nuk është marrë mendimi i këtyre njerëzve. A është marrë mendimi apo jo? Jo! Jo!”, u shprehën banorët.
Zona ku është dhënë leja për hidrocentralet është Park Natyror dhe përfshin ekosistemin malor Korab-Koricnik, ndaj banorët e këtyre zonave paralajmërojnë kundërshtim të ashpër të projekteve. “Ato centrale nuk mund t’i bëjë, sepse zona jonë është zona më e varfër ekonomikisht. Shyqyr që na ka dhënë atë pasuri, atë ujë që të jetojë populli dhe ata duan të na e vjedhin. Kjo nuk është e drejtë e qeverisë”, tha një banor.
Banorët thanë se nuk do t’i ndalin protestat. “Sot protesta paqësore, nesër mund të degradojnë se e kanë të ligjshme mbrojtjen e bukës së fëmijëve të tyre”, thanë banorët. “Ka dalë i gjithë populli i kësaj zone për politikat e hajdutëve dhe keqbërësve që janë bërë në kundërshtim me rregullat ndërkombëtare të devijimit të lumenjve dhe prishjen e ekosistemit. Të mos marrë asnjë guxim që të vendosë hidrocentral në këtë zonë. Jemi të vendosur ta mbrojmë këtë zonë deri në vdekje”, thonë banorët.

Berat, banorët bllokojnë rrugën

Në Berat, punonjësit e firmave që nxjerrin dhe përpunojnë gur në malin e Tomorrit bllokuan rrugën nacionale, që të çon drejt Skraparit, duke kundërshtuar vendimin e Ministrisë së Mjedisit për bllokim të aktivitetit. “Bëhet fjalë për 10 000 frymë që janë të lidhura me gurin”, tha një banor.
Banorët kërkojnë zgjidhje me argumentin se janë pa bukë, ndërsa pronarët kërkojnë përgjigje për lejet mjedisore. “Nëqoftëse ajo nuk bëhet, të vijnë të na thonë nuk bëhet, të na çojnë në një vend tjetër, këtë po kërkojmë ne”, u shpreh një banor tjetër.
Nga mali i Tomorrit, Klosi deklaroi në fillim të këtij viti se do t’i jepej fund krimit mjedisor në këtë pasuri kombëtare, deklaratë i cila pezulloi nga puna të 12 firmat që ushtronin aktivitetin.

Banorët në Zharrëz protestë për dëmshpërblimet e banesave

Banorët e Zharrëzës në Fier kanë dalë sot në protestë për mos shlyerjen e dëmshpërblimeve për banesat, të cilat si pasojë e dëmtimeve tashmë janë të pabanueshme. Banesat e tyre janë dëmtuar si pasojë e shpërthimeve nga kërkimet për naftë. Banorët thonë se ata janë shlyer 25-30% e vlerës së dëmit. “Edhe pse kemi bërë shkresë të herë pas hershme nuk kemi marrë asnjë përgjigje”, thanë banorët.
Problemet kanë filluar që dhjetë vjet më parë. Gjendja e shtëpive sipas banorëve është shumë e rënduar si pasojë e shpërthimeve të shpeshta nëntokësore, ndërsa procesi i dëmshpërblimit që nisi një vit më parë, nuk ka përfunduar ende.
Sipas një vendimi të qeverisë duhej të krijohej një fond prej 1.5 milionë dollarë për dëmshpërblimin e familjeve, nga të cilat 900 mijë dollarë qeveria ia ngarkoi Bankersit dhe 600 mijë të tjera u morën përsipër nga buxheti i shtetit. Deri tani banorët kanë marrë vetëm paratë e dhëna nga qeveria.
Banorët thonë se do të përshkallëzojnë protestat e tyre në rast se, shqetësimi i tyre nuk do të gjejë zgjidhje. “Top Channel” kontaktoi kompaninë Bankers, që përsëriti qëndrimin e njohur të saj se, asnjë nga operacionet e Bankers nuk shkakton lëkundje apo tërmet, prej të cilit janë dëmtuar shtëpitë e komuniteteve rreth fushës së naftës Patos-Marinzë.