20 mijë familje pa ndihmë ekonomike, sot mocioni i debatit me Ramën

Partia Demokratike do të zhvillojë sot në Parlament një mocion me debat me Kryeministrin Edi Rama për heqjen nga skema e ndihmës ekonomike të më shumë se 20 mijë familjeve ekstremisht të varfëra në të gjithë vendin.
Në kërkesën e Partisë Demokratike theksohet se, përjashtimi është abuziv, i bërë në proçedura aspak transparente, në tejkalim të përcaktimeve ligjore dhe, me shumë gjasë, në kushtet e ndjekjes penale.
Partia Demokratike e kërkon debatin me kryeministrin për këtë çështje që në seancën e së enjtes, sepse nga kontaktet direkte, qindra kryefamiljarë kanë pohuar se nuk kanë para për bukë në kuptimin e parë të fjalës.
“Situata e verifikuar deri më tani është shkaktuar prej papërgjeshmërisë së qeverisë dhe ka rënduar gjendjen e këtyre familjeve në kufijtë e një drame njerëzore dhe të një emergjence kombëtare, pasi ndihma ekonomike është e vetmja mundësi mbijetese për ta”, thuhet në kërkesën e Partisë Demokratike.

Partia Demokratike e cilëson kriminale dhe të papërgjegjshëm aktin e përjashtimit të mbi 20 mijë familjeve në nevojë, duke i lënë në mëshirën e fatit, pa u dhënë asnjë sqarim dhe duke u hequr të drejtën kushtetuese, të përcaktuar në nenin 52. Aty thuhet se “Kushdo, kur mbetet pa punë për shkaqe të pavarura nga vullneti i tij, dhe, kur nuk ka mjete të tjera jetese, ka të drejtën e ndihmës në kushtet e parashikuara me ligj”.
Nga përgjigja është e qartë se, kriteret e ndihmës janë subjektive dhe abuzive. Sipas përgjigjes së qeverisë, nëse një familje ka tualet brenda banesës, lavatriçe apo sobë me dru apo pa dru, qeveria e skualifikon nga skema e ndihmës. Absurditeti i kritereve qëndron tek fakti se, këto kritere janë vendosur, kur e njëjta qeveri u ka shpërndarë të njëjtave familje dekodera dixhitale. Siç vihet re në shkresë, qeveria vazhdon të fshehë sistemin e pikëve, që merr secili kriter dhe si përllogariten në çdo zonë ku po aplikohet kjo skemë. Kjo do të thotë se skema është e manipulueshme.
“Përjashtimi nga skema e ndihmës ekonomike e mijëra familjeve u paralajmërua nga opozita kohë më parë, qeveria u fsheh, duke mos dhënë asnjë sqarim dhe sot jemi para faktit të kryer, ku vetëm këtë muaj janë nxjerrë dhe lënë pa asnjë ndihmë ekonomike mbi 20 mijë familje në gjithë Shqipërinë.

Qeveria jo vetëm ju ka hequr bukën e gojës fëmijëve, të moshuarve apo personave me aftësi ndryshe, por edhe nuk iu jep asnjë sqarim mbi ç’baza dhe cilat kritere janë përjashtuar nga skema e ndihmës ekonomike. Ne duke e parashikuar këtë situatë që kamuflohej me të fashmen “reformë”, kemi kërkuar të bëhet transparente formula që përzgjedh familjet përfituese të ndihmës ekonomike. Kemi kërkuar publikisht, në seancë parlamentare dhe i jemi drejtuar me shkresë zyrtare ministrisë përkatëse. Pas presionit të vazhdueshëm vetëm sot erdhi përgjigjia që Ministria e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale, në përgjigje të shkresës sonë të dërguar në janar të 2018.
Në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë fatkeqësisht pranohet ajo ç’ka qeveria ka mohuar dhe fshehur me vite ndaj publikut.
Siç shihet në shkresën bashkëngjitur qeveria pranon atë që, opozita dhe qytetarët kishin dhe e kanë shqetësim, kriteret e ndihmës janë subjektive dhe tërësisht abuzive. Në kriteret e ndihmës ekonomike radhiten edhe pajisje bazike jetike, të cilat mund t’i ketë çdo familje e varfër.