Policia italiane ndalon 11 shqiptarë të hyjnë në Itali

Policia kufitare italiane në bashkëpunim me Policinë Financiare, Policinë Doganore, kapiteneritë e porteve dhe nën koordinimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Emigracionit, kanë ekzekutuar në portet italiane një mega operacion me objektiv zbulimin e rrugëve kryesore të përdorur nga emigrantët klandestinë për të hyrë në Itali e për të parandaluar rrezikun ndaj terrorizmit si dhe aktivitetin e kriminalitetit transdetar.
Operacioni i koduar “Talassa” për disa ditë rresht është ekzekutuar në portet kryesore italiane të Ankonas, Barit, Brindizit, Kalgliarit, Xhenovas, Triestes, Napolit, Livornos, Palermos, Salermos, Venecias e Civitavechias, duke kontrollluar mbi 12 mijë persona e mbi 2200 automjete.
Gjatë kontrolleve policia italiane ka përdorur jo vetëm skanerizimin e zakonshëm të automjeteve, por dhe makineri speciale të pajisuara me sensorë të aftë për të zbuluar rrahjet e zemrës së personave të fshehur në bordet e mjeteve të rënda.
Kjo makineri speciale përdoret si një sizmograf dhe me anë të sensorëve lidhet në 4 pikat më të rënda të automjetit, duke zbuluar brenda pak minutash praninë ose jo të personave të fshehur në bord.

Me anë të kësaj metode, nën një automjet të tipit TIR i nisur nga Greqia e mbërritur në Portin e Barit, janë gjetur të fshehur 2 shtetas pakistanezë dhe 1 iraken. Ndërsa në Portin e Ankonës 2 shtetas afganë e në Portin e Salernos 1 shtetas nga Tunizia.
Operacioni “Talassa” ka çuar në ndalimin e hyrjes në territorin italian të 22 personave mes të cilëve 11 shqiptarë, në arrestimin e 4 personave dhe në vënien nën hetim të 17 personave të tjerë të akuzuar për krime ndër kufitare.
Përgjatë këtij operacioni në Portin e Xhenovas u sekuestruan dhe rreth 297 kg kokainë e fshehur në një anije nga Malta. Ky operacion i Policisë italiane u krye me mbështetje të Agjensinë europiane Frontex dhe sallën operative të Europolit.