Komunizmi ka rënë por mbetjet e tij ende toksike!

Sali BERISHA

Shqipëria e asaj periudhe, ose Shqipëria e dhjetorit ’90 ishte Shqipëria e diktaturës së trefishtë, e diktaturës komuniste. Ata që mund të ruajnë ndonjë iluzion unë dua t’u rikujtoj këtu se në vitin ’90 u vranë shqiptarë më shumë se sa në vitin 1980, si nr vrasjesh flas. Në vitin 1990 u zvarritën rrugëve dhe shesheve të qyteteve të vendit, Fatbardha Saraçi, ka një kryeveper të letërsisë shqiptare dhe botërore, me personazhe reale dhe një nga këto personazhe është vetë autorja, e cila përshkruan se si në vitet ’90 nxënësit e shkollës në Kavajë u dërgonin trupa të bërë shosh nga automatiku dhe mitralozi për të bërë terror. E vërteta është që këtë e bënte Ramiz Alia në vitet ’90 në qytetet e Shqipërisë.
Diktatura e dytë, të cilën ju bëj thirrje t’a trajtojmë sa të mos ndryhet përfundimisht në banesën e harresës, ishte diktatura e mjerimit. Ajo është diktatura e viktimave më të shumta në sistemin komunist. Diktatura e mjerimit ishte diktaturë e ndërtuar nga diktatori Hoxha me qëllime, sepse dihet, ata që njohin psikologjinë, qeniet që numërojnë kafshatën e kanë të vështirë të mendojnë përtej kafshatës. Historia tregoi pikërisht në shkurt ’90 se besimtarët më të mëdhenj ishin më të mirët e këtij vendi, të cilët rrëmbyen armët për përmbysjen e shtatores.
Diktatura e tretë, nga e cila duhet të pranojmë se, kombet ish-komuniste pas fjalimit të Nikita Hrushovit në kongresin e 20-të për krimet e Stalinit, kombet ish-komuniste të Europës ishin çliruar nga kultet. Ai fjalim dhe ai moment ishte historik për vendet ish- komuniste, ata u çlliruan nga kultet, u çliruan nga helmet. Kurse në Shqipëri, cilido që të shohë jo kultin e Enver Hoxhës, por kultin e Stalinit, ju rekomandoj një libër të Besnik Mustafajt, në të cilin ai tregon një tregim të Faik Myrtajt, ku pas vendimit të fundit të vitit ’90 për të shpërbërë kooperativën e tipit të lartë Josif Stalin, dhe tragjikomedinë midis fshatrave se cili prej tyre të mbante emrin Stalin dhe cili të mbante bustin, dhe shpërtheu beteja edhe me shtretër edhe me mjete se kush të merrte më parë bustin e njeriut që kishte qenë krimineli më i madh i Europës.
Pra, kjo ishte Shqipria e asaj periudhe. Sot është jashtë imagjinate, miku ynë e krahasoi bukur me Korenë e Veriut, por në Korenë e Veriut konstatoj se diktatori mizor Kim Jong Un ka lejuar pak tufëzat dhe arrëzat, kurse Ramiz Alia lejoi vetëm një qingj një kec.

Cili ishte roli i Alisë në mbrojtjen e Enverit dhe reagimi i Azemit

Në këto kushte padiskutim që përballja me kultin dhe lufta e përmbysjes së kultit të Hoxhës ishte një nga objektivat kryesorë të luftës së PD. Në këtë kontekst filluan kërkesat studentore. Dega e partisë e studentëve organizoi një peticion, organizoi takim me ministrinë, dhe me iniciativë e pastroi Universitetin nga bustet dhe fotografitë e Hoxhës. Natyrisht, Ramiz Alia për bindje apo për parzmore, përcaktoi si pozicion lufte mbojtjen e kultit të E. Hoxhës. Sapo ne filluam luftën frontale, ai filloi anti-mitingjet kundra nesh. Një formë më e shëmtuar dhe më e rrezikshme për të shpërthyer një konflikt civil. E filloi në Bajram Curri me sigurim shteti e malavita dhe e shtriu në të gjithë Shqipërinë në çdo miting tonin. Mitingjet tona çaheshin nga turma enveristësh, por përpjekja jonë dhe mençuria e qytetarëve bëri që asnjëherë të mos ketë përplasje civile, të cilat mesa duket diktatori i kërkonte për interes të tij. Pas kësaj, pasi dështoi me këtë ai nxorri dekretin për të mbrojtur figurën e Hoxhës. Nëse pyesni se cili ishte dallimi midis Hoxhës dhe Alisë, dallimi më esencial ishte se Hoxha ishte diktator me kult, ndërsa Alia ishte diktator pa kult, se ai ishte diktator pa diskutim, por ama pa kult se s’mund të krijonte kultin nën kultin e Hoxhës. Pastaj filloi stilimet e telegrameve të pafundme dhe kërkesat për të nxjerrë jashtë ligjit PD-në. PD iu përgjigj me organizimin e lëvizjes studentore, fillimisht në Kamëz se atje ishin kushtet më të mira. Ditën e dytë të Kamzës, flaka e asaj lëvizje ka ardhur në Qytetin “Studenti”. Dy vetë kanë qenë me një rol shumë të rëndësishëm; Azem Hajdari dhe Arben Imami, të cilët bënë një mobilizim shumë të shpejtë të studentëve dhe trupës së universitetit. U formuluan një seri kërkesash, me datën 7 është një miting historik, i cili kërkonte haptas heqjen e emrit Enver Hoxha dhe mbështetjen e kërkesave të Kamzës. Azem Hajdari kishte kërkuar heqjen e emrit dhe të busteve që në datën 15 janar në mitingun e bërë nga artistët dhe sindikatat e artistëve. Me 28 janar dega e studentëve organizoi një miting ku shpalli kërkesën për heqjen e emrit, policia i arrestoi studentët në zbatim të dekretit të Ramiz Alisë.

Berisha: Pse PD nuk u vendos në krye të protestës, por e mbështeti

Protesta studentore e shkurtit vazhdoi. Studentët treguan një qëndrueshmëri, guxim dhe kurajo të jashtëzakonshme. Duhet të themi që edhe veprimi i qeverisë dhe Alisë ishte shumë i fuqishëm, sepse përgjysmoi universitetin. Bëri shumë makinacione për t’i nisur studentët dhe nuk them se nuk arriti ta pakësojë universitetin në numër, por ata që mbetën, mbetën më të vendosurit. Qytetarët e Tiranës protestuan çdo ditë, dhe së fundi një kryesi e tyre vendos grevën e urisë. PD vendosi të përdorte këtu një taktikë. Taktika ishte që të mos e udhëhiqte, por të mbështeste. Pse? Për dy arsye. E para, ishte kuadër depolitizimi dhe depolitizimin me politizim nuk e luftoje dot si duhet, nuk shkonte kjo si logjikë. E dyta, nëse PD do dilte vetë në krye, kjo mund të ishte shkak ose i nxjerrjes së saj jashtë ligji, ose i një konflikti të gjerë civil, sepse PPSH kishte tezën që hajde shkojmë në zgjedhje dhe nëse fitoni ju i hiqni, po fituam ne ai është idhulli ynë dhe ju nuk keni punë me të.
Kështuqë lëvizja studentore u bë promotor kryesor, sindikatat nga ana e tyre luajtën një rol dhe me datën 20 Shkurt Shqipëria, mund të them se ajo ishte një energji njerëzore nukleare. Ajo që kemi parë në atë miting s’mund ta krahasosh me asgjë tjetër se një forcë njerëzore nukleare. Ajo mori drejtimin e duhur dhe përmbysi bustin, duke patur vetëm një të plagosur me snajper dhe asnjë xham të thyer në qytetin e Tiranës. Ajo ishte një nga ditët më paqësore, por Ramiz Alia kishte përgatitur reagimin.

Cila ishte loja e Ramiz Alisë me protestën e Bllokut, përgatiti një masakër si e Tienanmenit

Atë ditë janë bërë tre mbledhje. Një mbledhje pleniumi të Komitetit Qendror, ku ai urdhëroi të qëllohet. Cili do të lexojë memoriet e Marash Hajatit, ka qenë dëshmitar aty. Aty është dhënë urdhër të qëllohet dhe të mbrohet me armë busti. Eshtë në meritën e atij që nuk e ka zbatuar këtë urdhër dhe e vërteta është që busti u rrëzua, u zvarrit si një shprehje urrejtje të pakufishme të njerëzve ndaj tij dhe jo si një barbari. Të gjitha këto Ramiz Alia i mori si një skenar rumun dhe pastaj shpalosi gjatë mbasdites skenarin e vet të kobshëm, u përpoq të manipulojë turmat dhe ti çojë për të zhvarrosur trupin e Hoxhës. PD bëri gjithçka dhe bllokoi këtë, dhe pa vështirësi, sepse u kuptua që ky është një kurth. Të nesërmen donte të përsëriste Tiananmenin, ku manipuluan njerëzit dhe i vërsulën drejt Bllokut, pasi e kishte zbrazur Bllokun. Nexhmijen e kishte dërguar në Dajt, të tjerët, përfshirë dhe Edi Ramën, në bunkerin që meremetoi për Hoxhën në Zall Herr etj. Vetë ishte në zyrë, por mund të ikte nga tunelet.

Neritan Ceka, i cili absolutisht me vetëiniciativë, ne kishim çuar të tjerë aty si Agron Cikën, Pëllumb Karametën, Bashkim Salën etj., për ti larguar njerëzit, por njerëzit nuk dëgjonin. Ceka shpëtoi aty një gjakderdhje të madhe, duke marrë djalin e vetë dy vjeç në krah, duke iu betuar njerëzve se do lë peng fëmijët e mi, dhe njerëzit e dëgjuan. Nuk u mjaftua me këtë dhe u përpoq ta vinte bustin prap dhe aty, një gavrosh shpëtoi gjakderdhjen. Kur palët po bëheshin gati të sulmonin njëri tjetrin, një djalë 17 vjeç shkon e merr bustin dhe e bën copa copa, kishte qenë bust allçie. Pastaj është skenari në Shkollën e Bashkuar, një skenar i kombshëm. U vranë në shtëpinë e tyre fëmijë, burra, gra pa asnjë lidhje me një sulm ndaj shkollave ushtarake. Një puç i vërtetë. U krijua komiteti puçist për t’i dhënë pushtetin Ramiz Alisë.

U çliruam nga kulti më poshtërues i shqiptarëve

Tre faktorë kanë qenë përcaktues. PD bënte çmos dhe gjithçka për të shmangur gjakderdhjen dhe është një kohë që dua të shpreh mirënjohjen ndaj atyre djemve, qindra djem që qëndruan si parzore, u ulën në rrugë për të pritur tanket nëse do vinin dhe prenë pemët dhe vendosën barrikada afër shkollës, të cilat funksionuan. Dega e Vlorës, ku Alia me aventurierë vendosi të shpallë Vlorën kryeqytet meqë Tirana nuk e ndiqte më, dhe u nisën nga zona e parë operative të vërshojnë drejt Vlorës, demokratët e Vlorës zunë urën e Mifolit dhe thanë këtu s’kalojnë dot kurrë aventurierët. Dhe ata dështuan në Vlorë. Kavaja, bastioni më kryesor, i cili vuri postbllokun. Nga Jugu pa një kontroll të imët të makinave, asnjë makinë nuk kalonte dot drejt Tiranës. Fushë Kruja po kështu.
Sot, kjo ngjarje është një ngjarje e madhe, sepse e para u çliruam nga kulti më poshtërues i shqiptarëve në historinë e tyre shekullore, ka rrezik që as në moshën tonë primitive ne nuk gjejmë dot një kult poshtërues sa kulti i Hoxhës ndaj nesh. Së dyti u shmang një konflikt, një gjakderdhje dhe u çel rruga për fitoren e demokracisë. Së treti, në vizitën që bëri Bejker, në takimin që patëm me të, na pyet a ka rënë komunizmi? I them se komunizmi ka rënë, por mbetjet e tij janë toksike. Nuk më pëlqen të jem profet, por e vërteta është që kjo periudhë dëshmon qartësisht se mbetjet e tij janë super toksike.
Edhe një herë shpreh mirënjohjen ndaj jush Agron dhe të gjithë studiuesve që keni dhënë dhe jepni një kontribut shumë të rëndësishëm në memorizimin, në paraqitjen e në përshkrimin e asaj periudhe që është më e zeza në historinë tonë kombëtare.