Ballina Politikë 20 Shkurti ‘91, kur populli ngrihet…

20 Shkurti ‘91, kur populli ngrihet…

Tre ditët e grevës së urisë të studentëve kishin tensionuar situatën në Tiranë. Disa qindra mijëra vetë morën rrugën drejt Kinoklubit të Qytetit “Studenti” për të shprehur solidaritetin dhe mbështetjen e tyre për studentët grevistë. Më 20 shkurt 1991, sheshi para Kinoklubit ishte mbushur më shumë se kurrë ato ditë. Thirrjet e turmës “Studentët janë heronj”, “Jemi me studentët”, “Poshtë diktatura”, “Enver-Hitler”, si dhe do ta heqim qelbësirën, ishin një kurajo e madhe për studentët grevistë.
Afro 900 studentë grevistë u ngujuan në këto ambiente. Komisioni organizator i grevës nuk lejoi të hynin në ambientet e grevës operatorët me kamerat e Televizionit Shqiptar, si dhe asnjë qytetar që nuk ishte student ose pedagog i Universitetit të Tiranës. Në ambientet e Qytetit “Studenti” u mblodhën me mijëra e mijëra qytetarë dhe familjarë të studentëve grevistë, të shqetësuar për të afërmit e tyre. Mbajmë mend parullat, qytetarët thërrisnin jashtë në mbështetje të studentëve: “Ejani mblidhuni këtu, këtu, bashkë me ne”. “Poshtë burokratët” dhe mjaft parulla të tjera patriotike. Brenda tek studentët hyri vetëm operatori televiziv i Partisë Demokratike, Agim Buxheli, që kreu filmimet e rralla të studentëve të ngujuar.

Nga ballkoni i godinës së konviktorëve të Gjeologjisë, oratorë të ndryshëm mbanin fjalime kundër qeverisë dhe PPSH, të cilat po flijonin studentët për emrin e një të vdekuri.
Falë organizimit të mirë të sindikatave, sidomos të atyre të minatorëve, u arrit që të mblidheshin afro 100 mijë veta midis tyre punëtorë, studentë, pedagogë, qytetarë të tjerë të Tiranës që protestuan në Qytetin “Studenti”, në përkrahje të grevës së urisë së studentëve. Të parët që erdhën ishin minatorët e Valiasit, të cilët duke brohoritur nga rruga e “Durrësit” e deri tek Qyteti “Studenti” arritën të mblidhnin rreth vetes një turmë prej afro 10 mijë qytetarësh.
Rreth orës 10:00 në Qytetin “Studenti” ndodheshin100 mijë protestues. Ata të gjithë së bashku brohorisnin për fitore dhe shprehnin urrejtjen e tyre ndaj regjimit komunist me promovimin e parullave si: “O Ramiz o zagar, do të varim në litar”, “Poshtë diktatura”, “Liri Demokraci”, etj. Në mbarim të fjalimeve të disa oratorëve demonstrues, aktorja e talentuar Rajmonda Bulku, duke e mbyllur mitingun solidarizues, u bëri thirrje protestuesve të shkojnë tek Sheshi “Skënderbej”. Thirrja e Rajmondës u bë në një çast, kur u duk se të gjithë protestuesit e dëgjuan atë. Një grup protestuesish, të përbërë kryesisht nga familjarë dhe nëna të studentëve të grevës së urisë, nisen në drejtim të Presidencës për të takuar Ramiz Alinë. Ndërsa turma kryesore e protestuesve niset në drejtim të Liceut Artistik. Në krye të protestuesve, ne vumë gratë dhe fëmijët e vegjël në mënyrë, që policia të mos keqtrajtonte turmën e protestuesve.

Një turmë rreth 100 mijë vetash ka lëvizur nëpërmjet rrugës së “Elbasanit”. Tek Liceu, njerëzve u dalin përpara rreshta policësh me skafandra dhe armë. Qentë e policisë u vërsulën njerëzve, ndërsa zbrazën kallashnikovë mbi kokat e protestuesve, të cilët qëllojnë me gur dhe sende të forta policinë dhe Forcat Speciale. Turma çan përpara, por tashmë në drejtim të Sheshit “Skënderbej”.
Beteja e sheshit është vendimtare. Pas një përleshjeje mes popullit dhe forcave të Ministrisë së Brendshme busti ndjen lëkundjet e para. Në ora 14:00, monumenti i Enver Hoxhës bie në krah të majtë të tij, pas tre-katër lëkundjesh të forta. Disa njerëz kishin punuar tek këmbët e bustit, ku ishin edhe vidat mbajtëse, ndërsa të tjerë i kishin hedhur kavon në grykë. Enveri ra dhe bashkë me të edhe miti i tij. Policë dhe qytetarë u përqafuan për disa çaste në shesh.
Atmosfera ishte mjaft e ndezur. Qindra dhe mijëra njerëz shtyheshin kush e kush të shkelte më shumë me këmbë shtatoren që nëpërkëmbej. Për tetë orë rresht, statuja e diktatorit u zvarrit nëpër Tiranë. Urrejtja ndaj diktaturës po dëshmohej mjaft qartë në ato momente. Pas rrëzimit, busti i ndarë në dy pjesë u lidh me kavo në një makinë plehrash, e cila nisi ta tërhiqte zvarrë për ta dërguar në ambientet e Qytetit “Studenti”, ku po vazhdonte greva e urisë së studentëve. Përgjatë gjithë rrugës, njerëzit vazhdonin të pështynin dhe të shkelnin me këmbë bustin e copëtuar të diktatorit. Nëpër rrugët e Tiranës shihje njerëz të përlotur nga gëzimi, të cilëve nuk u besohej se, busti i diktatorit ishte rrëzuar. Të gjithë u bashkuan në një varg të gjatë, duke vazhduar ecjen në drejtim të godinës, ku po zhvillohej greva e urisë së studentëve. Pikëtakimi ishte pikërisht ajo, godina e studentëve të grevës së urisë. Mbi njëqind mijë njerëz në një kor gjigant thërrisnin pa pushim “e hoqëm, e hoqëm, e hoqëm qelbësirën”.

Reagimi i diktaturës

Menjëherë pas rrëzimit të bustit, përfaqësuesi i qeverisë, ministri i Arsimit, Skënder Gjinushi, pranoi se emri i diktatorit do të hiqej nga universiteti. Ndërkohë u publikua një lajm i dalë nga kabineti i Kryeministrit, Adil Çarçani, në të cilën thuhej: “Meqë do të riorganizohej, Universiteti i Tiranës nuk do të ketë më emrin e Enver Hoxhës. Ky dekret hyn në fuqi menjëherë”.
Pas humbjes së bustit, vullnetarët e Enverit kërcënuan se do të marshonin në Tiranë për të rivendosur monumentin dhe se do të shpallnin kryeqytet të ri të Shqipërisë, Vlorën. Më 21 shkurt 1991, ora 11:00 nga Blloku i udhëheqjes dëgjohen krisma. Ndodh një grumbullim spontan, i cili marshon drejt Bllokut. Turma ndalohet nga Neritan Ceka tek Hotel “Dajti”.
Në këto rrethana, Ramiz Alia shpalli krijimin e Këshillit Presidencial, Adil Çarçani largohet dhe vendin e tij e zë Fatos Nano, ish-zëvendësdrejtor i Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste. Më 22 shkurt, gjendja acarohet më shumë, nis revolta e ushtarakëve në Akademinë e Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha”. Sigurimi i Shtetit fillon goditjen ndaj demokratëve. Goditen shumë veprimtarë të PD në Tiranë, në Elbasan, në Korçë, Fier, Lushnjë etj. Ushtarakët shpallin një Komision Nismëtar të Lëvizjes për Mbrojtjen e Institucioneve të Popullit. Ata u lëshuan një ultimatum forcave politike për një referendum për Enverin, si dhe për zbatimin e ligjit për mbrojtjen e monumenteve dhe vënien e RTSH nën varësinë direkte të Këshillit Presidencial.

Ushtarakët kërkojnë revansh. Më 22 shkurt, zhvillohet një takim mes tyre dhe politikanëve. Takimi i 22 shkurtit pati një ndeshje të ashpër mes përfaqësuesve të opozitës të kryesuar nga Abdi Baleta dhe ushtarakëve. Baleta deklaroi menjëherë se, veprimet e ushtarakëve mund të quhen grusht shteti.
Situata u tensionua pas lajmit se, ushtarakët do të vinin natën bustin e diktatorit që kishin në shkollën e tyre, në Sheshin “Skënderbej”. Turma e popullit rrethoi Akademinë. Ndërkohë edhe brenda në shkollë pati përleshje mes studentëve ushtarakë, por dhe kundër Enverit. Ushtarakët kulmin e presionit do ta arrinin kur thirrën Ramiz Alinë në Ministrinë e Brendshme. Ata i kërkuan atij llogari se, përse nuk kishte marrë masa për mbrojtjen e Enver Hoxhës. Ramizi u mbrojt duke thënë se, “kishte dhënë urdhër për të qëlluar, por nuk e kishin zbatuar urdhrin”.
Më 23 shkurt, Tirana gdhihet e tronditur nga përgjakja. Sipas lajmeve të kohës ka patur katër të vrarë, përfshirë një polic dhe një vajzë 12-vjeçare me emrin Olta. Ajo vdiq, duke parë televizorin në shtëpinë e saj nga një plumb qorr. Vendi po shkonte drejt katastrofës dhe dëshpërimit. Ndërsa më 6 mars, 20 mijë vetë hipën nëpër anije në Durrës dhe u nisën drejt Italisë, duke lënë pas pak shpresë për një jetë në paqe dhe qetësi.

Fotoreporterët e parë që fiksuan rrëzimin e bustit

Më 20 shkurt 1991, të gjitha kanalet televizive të botës transmetuan si lajm të parë një vullkan urrejtjeje, që u zbraz mbi një statujë shtatë metra të lartë të diktatorit Enver Hoxha. Ndonëse busti i udhëheqësit komunist nuk ishte veçse një tog bronzi, i vendosur në sheshin më të madh të Tiranës, përmbysja e tij ishte simboli i rrëzimit të një sistemi dogmatik që i kishte ardhur koha të ikte. Lulëzim Lika, në atë kohë fotoreporter i Agjencisë Telegrafike Shqiptare, ishte një nga të paktët që arriti të fiksonte këtë moment historik. Fotoja e rrëzimit të bustit u transmetua nga ATSH-ja, me diçiturën “Pamje nga rrëzimi i bustit të Enver Hoxhës”, paçka se, për ironi të fatit, në agjencinë e vetme të lajmeve punonte në një post drejtues nusja e djalit të Enver Hoxhës. Por, do të ishte kjo foto që do t’i ndryshonte karrierën fotoreporterit Lika, sepse të nesërmen, drejtues të “Reuters” i kërkuan atij të punonte për agjencinë prestigjioze, me të cilën Lika punon edhe sot.
Armando Babani, fotoreporter, kujton se në ato ditë gri e mbante aparatin gjithnjë me vete. Studentët në qytezën e tyre ishin në kulm të protestave kundër regjimit komunist. Për fat, Babani u ndodh në Sheshin “Skënderbej”, në momentin e duhur. Në tarracat dhe ballkonet e ndërtesave, përbri bustit, kishin hipur qindra njerëz.

Ishin disa syresh që e ngjitën Babanin në një nga ballkonet e katit të dytë, ku ai do të arrinte të fiksonte momentet historike. “Hipeni lart se është fotograf!”, kujton sot Babani. “Mund të kem bërë 9-10 shkrepje dhe ishte e gjitha kjo, gati 1 sekond e gjysmë, se më pas bustin e mbuluan njerëzit. Unë nuk e dija ç’do të ndodhte më vonë, por sot them se këto kanë qenë fotografitë e jetës sime”, thotë Babani, një nga fotoreporterët më të njohur në Shqipëri. Fotografitë e Babanit u botuan në gazetën “Republika” dhe “Rilindja Demokratike”, ndërsa sot fotot e Likës nga ATSH-ja, të Babanit, por edhe një fotoreporteri italian, ndodhen në të gjitha arkivat e medias në botë.
Fatmir Çepani, operator në Televizionin Shqiptar, ishte i vetmi që hodhi në celuloid këto momente historike. “Me kameran në sup, ku mbaja edhe peshën e dhjetëra njerëzve që vrojtonin mbi trupin tim, arrita të xhiroja atë që po ndodhte në shesh”.
17 minuta xhirim të Fatmir Çepanit, shprehin përjetimet e këtyre momenteve historike, ku mbretëronte kaotizmi, turmë e revoltuar, plumba, gurë dhe forca të blinduara të policisë.

Adrian Heta: Unë në makinën që rrëzoi bustin e Enverit

Turma e protestuesve qe dhe më energjike, kur arriti në Sheshin “Skënderbej”, për t’u vendosur afër monumentit të diktatorit komunist. Për arsye se numri i forcave të policisë dhe i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë që ndodheshin pranë Sheshit “Skënderbej” dhe Muzeut Historik Kombëtar, ishte tepër i madh, u vendos që protestuesit të prisnin valën tjetër të protestuesve që vinin nga Qyteti “Studenti”. Në Sheshin “Skënderbej” kaloi një veturë e bardhë dhe me sa morëm vesh brenda saj ndodhej Sali Berisha, kryetar i Partisë Demokratike. Kjo gjë i entuziazmoi protestuesit. Një grup protestuesish që ishin tek Liceu Artistik, pasi u përleshën me policinë, u futën tek lulishtja pranë Parlamentit nëpërmjet Rrugës së “Elbasanit”. Pastaj, pasi kaluan pranë godinës së Bashkisë, u vendosën rreth monumentit të Skënderbeut. Policia dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të shoqëruara me qen kufiri, të cilët i kishin fshehur prapa Muzeut Historik Kombëtar, filloi t’u bëjë presion protestuesve të shumtë për t’u tërhequr dhe për t’u shpërndarë larg monumentit të Skënderbeut. Policia përdori edhe zjarrfikësen, e cila hidhte me presion ujë me ngjyrë të kuqe, që njolloste rrobat e protestuesve. Turma tjetër e protestuesve që ishin të bllokuar tek godina e Kryeministrisë, e frikësuar nga breshëritë në ajër të armëve të policisë, u tërhoq nga tentativa për të hyrë në Bllokun qeveritar. Ata kaluan në lulishten mbrapa Kryeministrisë dhe mbërritën tek Sheshi “Skënderbej”, për t’u vendosur tek kolonat e Pallatit të Kulturës. Ndërkohë, ky grup protestuesish tentoi të sulmojë për nga shatërvani, por u smbrapsën nga policia. Disa makina të vogla të policisë qarkullonin nëpër Sheshin “Skënderbej”, duke u rënë sirenave për t’u bërë protestuesve presion psikologjik.

Një djalë i ri, i quajtur Durim Hoxha, shkëputet nga grupi kryesor i protestuesve që ndodhej pranë Bankës së Shtetit, për t’u kapur pas kabinës së zjarrfikëses. Por, pas pak ai rrëzohet i dëmtuar nëpër trup dhe me fraktura të brinjëve.
Grupi i katërt i protestuesve vjen nga Qyteti “Studenti” dhe vendoset përreth Sheshit “Skënderbej”. Ndërmjet protestuesve (banorë kryesisht në rrugën e “Kavajës”, në Laprakë, në rrugën “Ali Demi”, Kombinat etj.), që ndodheshin pranë Bankës Kombëtare dhe monumentit të diktatorit, hodhën mendimet se si të sulmohej monumenti. Fillimisht, duheshin thyer pllakat e mermerta të shkallëve për të smbrapsur dhe për t’u përleshur me policinë. Gjithashtu, pas kësaj nevojitej të ndalohej ndonjë makinë e rastit, e tonazhit të rëndë për të rrëzuar me kavo monumentin e diktatorit komunist. Për të realizuar këtë aksion, Saimir Maloku së bashku me shokët e tij i kërkojnë ndihmë protestuesve për të gjetur midis tyre një shofer. Prania e ushtarëve të armatosur me snajper sipër Pallatit të Kulturës, Hotel “Tiranës”, Muzeut Historik Kombëtar dhe në pallatet përreth e bënte të pamundur dhe tepër të rrezikshëm këtë aksion dhe ky mund të lihej për një ditë tjetër kur të krijohej mundësia. Minutë pas minute shtohej numri i protestuesve në shesh.

Për një moment u dëgjua një e thirrur: “Mos u sprapsni dhe mos u trembni nga policia, se ata janë të armatosur me fishekë manovër” (fishekë stërvitjeje që bëjnë zhurmë, pa pasur plumb brenda). Kjo u dha shumë kurajo protestuesve. Tri makina IFA të policisë të mbuluara me tenda shkarkojnë pranë shatërvanit një grup të madh Forcash Speciale të pajisura me skafandra plastike dhe me shkopinj gome. Ata krijojnë një gardh të fuqishëm mbrojtës përreth sheshit tek monumenti.
Ndërkohë Sheshi “Skënderbej” ishte mbushur plot e përplot nga dhjetëra mijëra vetë dhe të vendosur rreth e përqark tij, që bërtisnin duke thirrur: “Ushtria është me ne, Të hiqet qelbësira, Liri-Demokraci” etj. Një grup prej 40 deri 50 vetësh shkëputet nga turma e popullit protestues dhe vendoset pranë monumentit të diktatorit. Ata filluan të thyejnë pllakat prej mermeri të shkallëve dhe nisën të qëllojnë policinë. Forcat Speciale të Ruajtjes së Rendit dhe të Ndërhyrjes së Shpejtë, të armatosura me shot gun dhe armë të ndryshme filluan të qëllojnë në ajër me fishekë manovër dhe të sulmonin herë pas here grupin e protestuesve tek monumenti. Ndërkaq, protestuesit i kundërpërgjigjeshin, duke i qëlluar me gurë e copa mermeri. Nga krahu lindor i Muzeut Historik Kombëtar, në ndihmë të policisë erdhën forca të shumta të ushtrisë dhe të Ndërhyrjes së Shpejtë me qen kufiri.

Një protestues pranë monumentit mbante një flamur kombëtar. Sipër godinës së Bankës Kombëtare, Muzeut Historik Kombëtar dhe pallateve në hyrje të rrugës së “Durrësit dhe të “Kavajës” etj., policia kishte vendosur snajper dhe kamera të fshehta. Në mes të radhëve të protestuesve, policia dhe Sigurimi i Shtetit kishin infiltruar shumë informatorë, të cilët kishin për detyrë të raportonin mbi veprimtarinë e elementëve të rrezikshëm rebelë. Por, përpjekjet e policisë dhe të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë ishin të kota para turmës së madhe të protestuesve, të cilët u sulën nga të gjitha krahët dhe i detyruan ata të tërhiqen. Protestuesit, duke bërtitur: “Fitore, Fitore” u sulën drejt monumentit dhe u bënë zot të Sheshit “Skënderbej”. Një helikopter policie fluturonte dhe filmonte protestuesit e shumtë që u mblodhën përreth monumentit. Një kameraman i quajtur Agim Buxheli bënte filmime me një kamera amatore. Në mes të turmës, një qytetar rreth 70 vjeç i quajtur, Hysen Berberi, vjehrri i Saimirit, ishte i goditur në kokë dhe i mbuluar tërë gjak në fytyrë. Disa gra protestuese e morën për ta çuar në mjekim pranë Ambulancës Nr. 5 që ndodhej përballë ish-godinës së Lidhjes së Shkrimtarëve. Një qytetar tjetër në gjendje të plagosur ishte i shtrirë përtokë.

Gjashtë qytetarë e marrin në krah e vendosin tek një makinë aty pranë dhe e nisin drejt spitalit. Gjatë kohës së përleshjeve të protestuesve me forcat speciale tek monumenti, qytetari Ardian Heta (nipi i kirurgut të njohur Prof. Dr. Hysen Heta), mori një makinë IFA të braktisur, që ndodhej në Sheshin “Skënderbej”. Ardiani merr drejtimin e makinës IFA dhe pasi bën dy xhiro rreth shatërvanit, godet me spond një makinë zjarrfikëse që lagte popullin me ujë të ngjyrosur me bojë të kuqe. Makina zjarrfikëse nga kjo goditje ndalon së lëvizuri. Ndërkohë, aty pranë ndodhej një polic rreth 35 vjeç, i plagosur në kokë nga gurët e protestuesve dhe i mbuluar me gjak. Ardian Heta së bashku me shokun e tij Indrit Sukaj, e marrin në makinë policin e plagosur dhe e transportojnë në Spitalin Ushtarak në Laprakë. Para se të nisej makina, shumë protestues i thonë Ardianit që të kthehej prapa se makina mund të nevojitej edhe për rrëzimin e monumentit. Ai e mbajti premtimin dhe u kthye me makinën përsëri në shesh.

Përleshja e qytetarëve me policinë në rrugët e Tiranës

Forca të shumta Speciale, të Ruajtjes së Rendit dhe të Ndërhyrjes së Shpejtë, të pajisura me skafandra kauçuku, shkopinj gome, gaz lotsjellës dhe qen kufiri, kishin bllokuar rrugën që të çonte nga Liceu Artistik tek godina e Radiotelevizionit. Gjithashtu për këtë qëllim, ato kishin bllokuar rrugën automobilistike edhe me dy makina IFA të ushtrisë. Një zjarrfikëse e madhe lëshoi me presion ujë me ngjyrë të kuqe në një rreze të madhe hedhëse prej 20-30 metrash, duke lagur të gjithë protestuesit. Kjo gjë irritoi pa masë popullin demonstrues dhe ai filloi të drejtohej tek gardhi i madh i policisë dhe Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. Nga presioni i madh i ujit të zjarrfikëses, shumë gra dhe fëmijë u rrëzuan përtokë. Kishte shumë me fëmijë të vegjël të tyre dhe ndër to ishte edhe zonja Liri Berisha me djalin e saj të vogël, Shkëlzenin. Zjarrfikësja hidhte ujë me ngjyrë të kuqe dhe nga kjo nuk shpëtoi as Liri Berisha, e cila u lag nga uji i ngjyrosur me të kuqe dhe u dëmtua edhe nga sytë si pasojë e presionit të madh të ujit të hedhur nga pompat e fuqishme të zjarrfikëses. Duke parë këtë moment të rrezikshëm, protestuesit filluan të bërtisnin që gratë me fëmijët e vegjël të kthehen prapa. Policia arriti të smbrapste një pjesë të protestuesve deri tek ish-Shkolla “Kosova” ku edhe aty u bënë përleshje fyt më fyt deri në goditje me tulla e tjegulla.

Ndërsa turma kryesore e protestuesve prej mijëra vetash, duke valëvitur disa flamuj kombëtarë, iu sul me një vrull dhe kurajo gardhit të madh të ushtrisë dhe policisë. Pas përleshjeve dhe përpjekjeve të pandalshme të protestuesve, policia u detyrua të tërhiqej tek godina e Radiotelevizionit. Këtu policia filloi të shtënat në ajër, të hedhë gazlotsjellës dhe të vërë në veprim edhe qentë e kufirit ndaj protestuesve. Në këtë moment duhet të falënderojmë punonjësit e Radiotelevizionit Shqiptar dhe të Institutit të Informatikës, që në numër të shumtë kishin dalë jashtë godinës së tyre dhe ndërkaq bërtitën me të madhe: “Mos qëlloni, mos qëlloni”. Këtu u bë një përleshje e dytë midis turmës tonë të protestuesve dhe policisë edhe Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. Këto të fundit, të ndodhura përballë presionit dhe qëndresës heroike të protestuesve u tërhoqën pranë godinës së Kryeministrisë, duke krijuar një gardh mjaft të fuqishëm mbrojtës në mënyrë që të mos lejonin turmën e protestuesve prej afro 5 mijë vetash që i ndiqte ata, të drejtoheshin drejt Bllokut qeveritar.
Afro 10 deri 15 ushtarë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë ishin të rrethuar nga protestuesit pranë murit të ish-Drejtorisë së Pritjes. Protestuesit i rrëmbyen atyre mburojat prej kauçuku dhe shkopinjtë e gomës. Ndërkaq, disa prej ushtarëve filluan edhe të qanin. U nxitën protestuesit që ata të fillonin thirrjet: “Ushtria është me ne. Ushtarët janë vëllezërit tanë”. Ata i lirojnë ushtarët, iu dhanë edhe pajimet përkatëse me vete, si dhe nuk lejuan që të dhunoheshin fizikisht nga njerëzit e irrituar. Tek Liceu Artistik, një turmë tjetër e madhe Forcash të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe të Rendit, të shoqëruar edhe me qen kufiri, kishin përçarë dhe ndaluar turmën e madhe të protestuesve që vinte mbas nesh nga Qyteti “Studenti”.

Arben SHAHINI

Exit mobile version