Haradinaj ja përplas Ramës: Merru me shpikjet e tua në Shqipëri, larg duart nga Kosova

Kreu i ekzekutivit në Kosovë, përmes facebookut i ka dërguar porosi homologut të tij në Shqipëri, Edi Rama. I ka thënë mos të merret me shpikjet politike në Kosovë, por të merret me shpikjet e veta brenda Shqipërisë.
“Urime pavarësia e Kosovës të gjithë shqiptarëve. Edi Rama nuk ka çfarë të flasë për shpikjet politike në Kosovë! Le të merret me shpikjet e veta brenda Shqipërisë se i dalin boll”, ka thënë Haradinaj.
Shkas për këtë mund të jetë bërë deklarata e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, se problematika rreth demarkacionit u shpik nga politika e brendshme e Kosovës. Ai tha gjithashtu se kjo ka rrezikuar seriozisht reputacionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Haradinaj për Demarkacionin
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj publikon në Facebook një njoftim, ku thekson, gëzimin për një ujdi lidhur me demarkacionin. “Në këtë jubile të Pavarësisë së Kosovës, jam i lumtur që sot u arrit aneks-marrëveshja për ratifikimin, rishikimin dhe korrektimin e demarkacionit me Malin e Zi. Sot u vulos që sektorët në drejtim të Çakorrit dhe Zhlepit do të rishikohen dhe korrektohen.”
Në një deklaratë të përbashkët të Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe Presidentit të Republikës së Malit të Zi, Filip Vujanoviq, arrihet marrëveshja e nevojshme. Haradinaj e sheh këtë deklaratë si epilogun e një paqartësie dhe ndarjeje të gjatë në shoqërinë tonë. “Me këtë po përfundojmë obligimin e fundit për liberalizim të vizave dhe po hapim një kapitull të ri në lirinë e lëvizjes për qytetarët tonë”, shkruan Haradinaj në Facebook.

Axhenda e festimeve në Kosovë
Me një agjendë të ngjeshur kremtimesh, autoritetet kosovare synojnë një 10-vjetor të paharrueshëm për Kosovën. Të angazhuar do të jenë të gjithë, duke nisur nga policia, që zhvilloi një aktivitet në sheshin “Skënderbeu”; të rinjtë e përfshirë në debatin për Pavarësinë në Qendrën Rinore të Prishtinës; për të vazhduar me ngjarje të tjera si lancimi i Pullës Postare me rastin e një dekade mëvetësie, festivalin shumëkulturor të komuniteteve në Prizren, ekspozita, koncerte e shfaqje teatrale.
Të shtunën në orën 08:00, ashtu siç ishte paralajmëruar, Rita Ora mban një koncert në sheshin “Skënderbeu”, ndërsa shfaqjet e ditës së shtunë nisin me mbledhjen solemne të Qeverisë, për t’u zgjatur deri të dielën me mbjelljen e 115 pemëve në Memorialin “Adem Jashari” në Prekaz, e parakalimin e Forcave të Sigurisë e Policisë.