Rama bën drejtor njeriun që dha lejen për dy hidrocentralet mbi kanionet në Osum

Jamarbër MALTEZI
Edi Rama dhe Blendi Klosi nxituan të mbyllin me një deklaratë ndjese çështjen e ndërtimit të hidrocentraleve tek Kanionet e Osumit. Por të dy luajnë teatër me Shqiptarët. Letra e publikuar në media e ish Kryetarit të Kuvendit Ilir Meta, zbulon se Rama ka qenë në dijeni të projektit që dëmtonte kanionet e Osumit, por ka vazhduar me miratimin e tij në dhjetor 2017, kur tepsinë e kishte të gjithën për vete.
Rama dhe Klosi luajnë teatër edhe me premtimet për ndjekje penale, sepse ata kanë graduar me detyra më të larta, personat që kanë firmat në lejen mjedisore, pa të cilën nuk nis dot ndërtimi i asnjë projekti.
Sa për informacion, zyrtari që ka miratuar lejen mjedisore për Osumin, ish Drejtori i Lejeve Mjedisore (z. Baduni), tani është graduar nga Blendi Klosi si Drejtor i Turizmit në Ministrinë e Mjedisit dhe Turizmit ku punon edhe Klosi.
Nuk ka absurditet më të madh që ai që firmos për shkaterrimin e një zone turistike unikale të drejtojë edhe politikat e turizmit.
Kjo mund të ndodhë vetëm në qeverine “Rama”, e cila premton me fjalë se nuk do të dëmtojë natyrën, por me vepra jep leje që shkatërrojnë mjedisin ose leje që prishin parqe e lulishte në Tiranë për të ndërtuar kulla 44 katëshe.
Në fakt, me zonat e mbrojtura po ndodh një skandal tjetër i madh. Në krye të Agjensisë së Zonave të Mbrojtura është emëruar Zamir Dedej. Deri para pak vitesh, ai ishte drejtor i një shoqate mjedisore, e quajtur INCA. Sot, buxheti i Agjensisë për investime/monitorime/trainime, mbi 330 milionë leke, i janë kaluar shoqatës mjedisore të drejtorit Dedej.
Në këtë vend peshku i madh po peshkon peshkatarët se licensat per peshkim i kontrollon vetë kryepeshku.

Skandali me dokumentet e falsifikuara
Pas vendimit për një koncesion të fshehtë për dy hidrocentrale mbi zonën e mbrojtur ne kanionet e Osumit, një dokument i Agjencisë së zonave të mbrojtura, tregon hidrocentralet kanë një mospërputhje të vendndodhjes sipas koordinatave, me lejet e marra. Agjencia kombëtare e zonave të mbrojtura deklaron se leja mjedisore për HEC-et ka parregullsi ligjore dhe madje ka ndryshuar koordinatat ku do të ndërtohen hidrocentralet. Skandali zbulohet nga një memo zyrtare që Agjencia e zonave të mbrojtura i dërgon ministrisë së mjedisit. AKZM-ja ka vërejtur disa parregullsi ligjore që lidhen me mospërputhjen e vendndodhjes sipas koordinatave me lejet e marra.
Kjo është njësoj sikur një ndërtues të zhvendosë një pallat përtej gjurmës së lejuar apo sikur të shtojë kate shtesë mbi lejen e miratuar. Vetëm se në përmasa më të mëdha, sepse ka të bëjë me një hidrocentral në një mjedis ligjërisht të mbrojtur. Vlerësimi i ndikimit mjedisor është një nga lejet më të rëndësishme për miratimin e një projekti. Kjo leje lëshohet nga agjencia kombëtare e mjedisit dhe duhet të certifikojë projekti për impaktin mjedisor. Sipas dokumenteve, rezulton se leja për dy HEC-et mbi kanionin e Osumit është dhënë në mars të vitit 2015 me firmën e ish drejtorit Julian Beqiraj. Por sipas Agjencisë së zonave të mbrojtura parregullsitë ligjore në leje dhe ndërrimi i koordinatave ku do të ndërtohen HEC-et bëjnë lejen të paligjshme. Të martën Top Channel publikoi ekskluzivisht dokumentet që faktojnë se qeveria në mënyrë të heshtur ka miratuar ndërtimin e dy hidrocentraleve mbi kanionet e Osumit duke rrezikuar kështu shkatërrimin e një prej atraksioneve më të bukura turistike në vend. Ndërkohë që pas publikimi të lajmit në Top Channel ka reaguar edhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila ka vënë në dukje se është në komunikim të vazhdueshëm me Ministrinë e Mjedisit dhe Turizmit, nga e cila ka kërkuar verifikimin e lejes mjedisore të lëshuar nga ky institucion. “Në momentin që Ministria e Mjedisit do të konstatojë parregullsi në lejen e lëshuar nga ky institucion dhe do kryejë revokimin e kësaj leje, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë mund të fillojë procedurat për prishjen e kontratës bazuar mbi legjislacionin përkatës. Ne funksion të shqyrtimit të këtij rasti, Ministria e Infrastrukturës ka shprehur gatishmërinë për krijimin e një grupi të përbashkët pune në nivel teknik mes dy ministrive”, thuhet në reagimin e ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.