“Lekët ose të vrava”, maska grabit një pikë karburanti në Tiranë

Një grabitje ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në Tiranë. Sipas të dhënave zyrtare, grabitja ka ndodhur në periferi të kryeqytetit, ku një person i maskuar, nën kërcënimin e një thike i ka marrë lekët e xhiros ditore punonjësit të një karburanti. Pasi ka marrë paratë, grabitësi është larguar me shpejtësi, ndërsa ende nuk është bërë identifikimi i tij. Punonjësi është marrë në pyetje nga policia, pasi ka denoncuar dhe ka treguar se autori i ka vënë thikën në bark, duke e kërcënuar se do të vriste nëse nuk i jepte paratë.

“Thikën e kisha në trup të drejtuar. Më tha më jep paratë ose të vrava”, ka dëshmuar punonjësi. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe kapjen e autorit. Ndërkaq do analizohen edhe pamjet filmike të kamerave të sigurisë në objektet pranë karburantit.
Ndërkohë, banorët e fshatit Petresh në Elbasan rrëfejnë me lot në sy se njëri pas tjetrit kanë rënë pre e grabitësve që shkojnë natën dhe u marrin lopë e dele nga stallat. Një lopë kushton 100-150 mijë lekë të reja dhe fshatarët e kanë të pamundur t’i blejnë sërish, aq më tëpër kur grabitësit nuk janë ndaluar dhe rreziku që ata të kthehen sërish është i madh.

Edhe pse prej gati një viti ngjarja përsëritet shpesh, autorët nuk janë identifikuar. Pasuria e vetme me të cilën ushqehen këta njerëz janë lopët, por duket se grabitja e tyre nuk është marrë asnjëherë seriozisht nga autoritetet.