Gjiknuri firmosi ndërtimin e dy hidrocentraleve mbi kanionet e Osumit, por Rama thotë se do hetojë Nasipin

Njeriu që ka firmosur ndërtimin e dy hidrocentraleve mbi kanionet e Osumit është ish-ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri. I njohur si ministri konfident i Ramës, Gjiknuri ka firmosur ndërtimin fiks mbi kanionet e Osumit, por ai bashkë me Ramën po mundohen ta delegojnë përgjegjësinë tek LSI dhe konkretisht tek ish-ministri i Mjedisit, Koka apo edhe tek Nasip Naço. Top Channel, i cili ka nisur të vihet në frontin e parë të luftës së Ramës kundër LSI thotë se njeriu që do ndërtonte hidrocentralet është i afërt i Nasip Naços.
Qeveria është angazhuar të premten të anulojë ndërtimin e hidrocentraleve mbi kanionet e Osumit, ndonëse për këtë ende nuk ka bërë publik ndonjë vendim.
Ndërkohë Top Channel zbardh të tjera dokumente që tregojnë se Ministria e Mjedisit pranoi një raport me të dhëna të falsifikuara mjedisore për koncesionet. Raporti, i cili është hartuar nga një studio private, pretendon se ndërtimi i HEC-eve nuk është në zonën e mbrojtur, edhe pse koordinatat e njërit prej tyre janë vetëm 200 metër mbi ujëvarën e Bigasit.
Ky raport i falsifikuar u pranua nga Ministria e Mjedisit për të lëshuar lejen mjedisore për të dy hidrocentralet, e cila për më tepër ka skaduar që në mars të vitit të kaluar, siç edhe Top Channel ka raportuar në vijimësi.
Të premten kryeministri Edi Rama njoftoi nga faqja personale e facebook-ut ministria e mjedisit ka nisur një hetim administrativ të kësaj leje, që kryeministri e cilëson një fabrikim kriminal me koordinata të manipuluara. Sipas kreut të qeverisë individët e përfshirë në këtë fabrikim do të kallëzohen në prokurori, ndërsa e gjithë procedura do të anulohet.
Ndërkohë, nga kanionet e Osumit edhe Blendi Klosi konfirmoi se zyrtarët e përfshirë në këtë skandal do të mbajnë përgjegjësi.