Asnjë tolerancë në përmbushjen e kushteve

Bashkimi Evropian u ka ofruar perspektivë të qartë integruese vendeve të Ballkanit Perëndimor, por BE-ja nuk do të importojë mosmarrëveshje brenda saj, kështu që vendet që mëtojnë integrimin, duhet t’i zgjidhin paraprakisht mosmarrëveshjet, është thënë gjatë prezantimit të Strategjisë së re të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.
Kjo strategji është shpalosur nga Presidenti i Komisioni Evropian, Jean-Claude Juncker, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, dhe Komisioneri për Zgjerim, Johannes Hahn.

“Populli i Ballkanit dhe liderët e këtyre vendeve e kanë bërë një zgjedhje të drejtë, që të jenë pjesë e Bashkimit Evropian. Ne, mund t’ju themi atyre se edhe ne e kemi bërë zgjedhjen e njëjtë, pra u japim perspektivën e qartë evropiane atyre”, ka deklaruar Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini.