Vota në OKB për Jeruzalemin, LSI: Rama përdor gjuhë prej naziskini

 

Kryetari i Grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Rama në lidhje me votën në OKB për statusin e Jeruzalemit. Në një dalje për mediat, Vasili dënoi gjuhën e përdorur nga Rama, duke e quajtur naziskin. “Sot në Parlamentin e Shqipërisë ka qenë një moment shumë i veçantë dhe është diskutuar gjerësisht Projektrezoluta e paraqitur nga opozita shqiptare lidhur me votën skanaloze kundër të qeverisë shqiptare në OKB, kundra propozimit amerikan, që lidhej me Jeruzalemin. Sigurisht, që ka qenë një votë e padëgjuar, një qëndrim krejtësisht i papranueshëm për të gjithë shqiptarët, por edhe për të gjithë opinionin e gjerë jashtë Shqipërisë dhe atij në diasporë. Megjithatë, pikërisht në këtë moment delikat kur po diskutohej kjo rezolutë dhe ky qëndrim shumë i shëmtuar antiamerikan i qeverisë, ne jemi të gjithë të befasuar nga gjuha e tmerrshme e kryeministrit, i cili përdori për hebrenjtë, popullin e nderuar të Izraelit, termin “çifut”, një term i përdorur vetëm nga nazistët në Luftën e Dytë Botërore, kur ata ushtronin Holokaustin e pamëshirshëm dhe të padëgjuar në historinë e njerëzimit dhe ku shfarsonin mijëra e mijëra hebrenj. Vetëm në gjuhën e tyre është dëgjuar përcaktori apo emri “çifut”. Unë ju ftoj të gjithë teleshikuesit ta ndjekin vetë pikërisht se çfarë tha dhe në çmënyrë e përcaktoi popullin e Izraelit, kryeministri, nëpërmjet videos që ju ftoj ta ndiqni. Patë një gjuhë pikërisht të një naziskini të ri, i cili po me këtë gjuhë prej naziskini kërkon të qeverisë vendin. Po me këtë gjuhë prej naziskini kërkon të ndërtojë raportet me opozitën shqiptare, po me këtë gjuhë kërkon të ndërtojë raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku voton kundër, dhe ku votoi përsëri kundër me qëndrimin ndaj rezolutës. Po me këtë gjuhë naziskini i drejtohet popullit shumë të respektuar, mik dhe vëlla të Izraelit. Hebrenjtë kanë qenë miq të kahershëm të shqiptarëve, dhe kanë ndarë së bashku me ta momente shumë të vështira të historisë, duke sakrifikuar reciprokisht, e ku shqiptarët kanë qenë një shembull i jashtëzakonshëm në Europë në raportin me hebrenjtë, dhe sot vjen një kryeministër me një psikologji dhe me një mënyrë veprimi naziskin, që përpiqet të deformojë këto raporte, të cilët janë të padeformueshëm. Shqiptarët dhe hebrenjtë i kanë zgjidhur këto çështje me njëri-tjetrin, në mënyrën më të mirë dhe më të shkëlqyer të mundshme, prej vitesh dhe të tilla janë. I vetmi që është jashtë vendit, jashtë kohës, në vendin e gabuar, në kohën e gabuar, në psikologjinë e gabuar e në dëm të Shqipërisë, por edhe të marrëdhënieve me Izraelin, dhe mbi të gjitha në raport me marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që kanë pasur mendjehapjen dhe vizionin e largët për të ndërtuar raporte të reja dhe në Lindjen e Mesme dhe kudo gjetkë, i vetmi njeri i shtrembër në këtë mes është kryeministri shqiptar. Sot, psikologjia prej naziskini e tij duhet të jetë një shqetësim mbarëpopullor, pasi kështu ai kërkon ti trajtojë edhe shqiptarët, siç trajtoheshin hebrenjtë nga nazistët në Luftën e Dytë Botërore dhe që ky kryeministër i papërgjegjshëm na i risolli me një gjuhë shumë të egër, dhe të paprecedentë në historinë e pluralizimit shqiptar, pikërisht në sallën e Parlamentit”.