Ballina Aktualitet Shpërthejnë minatorët, protesta në Korçë, Ersekë, Pogradec e Prrenjas

Shpërthejnë minatorët, protesta në Korçë, Ersekë, Pogradec e Prrenjas

Minatorët e Korçës, Ersekës, Pogradecit dhe Prrenjasit u ngritën dje në protestë në qendër të qyteteve kundër qeverisë. Minatorët thanë se marrin pensione qesharake në një kohë, që gjithë jetën kanë punuar nëntokë, në kushte tepër të vështira shëndetësore dhe ekonomike. Ata i bëjnë apel qeverisë për të miratuar statusin e minatorit, në mënyre që jeta e tyre të jetë më pak e vështirë.
Minatorët kanë kërkuar njëzëri statusin e minatorit, ndërsa janë kundër masës së pensionit. Protestuesit paralajmëruan përshkallëzimin e protestës para Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Ata thonë se marrin pensione qesharake. “Kërkojmë pensionin që na takon. Ka minatorë të sëmurë si pasojë e punës në thellësitë e nëntokës. Jemi një shtresë në kushte të vështira. Të miratohet sa më shpejt statusi”, thanë minatorët.
Protestuesit thonë se Qarku i Korçës numëron mbi 1000 minatorë. “Shumë prej tyre hallakaten nëpër gjykata ende”, thonë ata. Minatorët paralajmëruan përshkallëzim të protestave, duke deklaruar se do të vinë dhe në Tiranë para Kuvendit. “Protestat do përshkallëzohen”, thanë minatorët njëzëri.
“Marrim 150 mijë lekë pension, është turp i botës. 80 mijë shkojnë dritat, lëri ilaçet e mia. 51 vjeç e 6 muaj, me 12 vjet nëntokë. Dhe tani na sorollasin. Ne kërkojmë një gjë shumë të thjeshtë që e ka emrin Status. Eshtë turp që një minator ka 19 vjet e 6 muaj nëntokë, marrin një pension qesharak dhe e lënë te dritat e uji”, u shpreh një nga minatorët.
“Kanë humbur shikimin, anën shëndetësore. Po shikoni këtu, janë shumë pak minatorë, shumica kanë vdekur po nga këto sëmundje”, tha një minator tjetër.
Sindikata Rajonale e Minatorëve të Korçës, Pogradecit, Prrenjasit dhe Ersekës i janë drejtuar me një peticion Kryeministrit Rama, kreut të Kuvendit Ruçi dhe kreut të Grupit parlamentar të PS-së, Balla ku i kërkojnë miratimin sa më shpejt të statusit të minatorit.
Mazhoranca ka refuzuar projektligjin për statusin e minatorit, i propozuar nga deputeti Përparim Spahiu i LSI. Por, duke refuzuar këtë projektligj i propozuar nga deputeti i LSI-së, qeveria zotohet se do të hartojë vetë një projektligj të ri për statusin e minatorit brenda 2018.
Punonjësit e minierave të indinjuar i kanë kërkuar qeverisë që t’u japë statusin e minatorit, pasi pensionet që ata marrin janë qesharake dhe nuk i mjaftojnë as për të blerë ilaçet. Ndërkohë, Ministria e Infrastrukurës dhe Energjisë sqaron se, aktualisht po punohet për ligjin e statusit të minatorit në mënyrë që të përllogaritet edhe një faturë konkrete për këtë çështje. Pak orë para se shumica të rrëzonte statusin e minatorit, punonjësit e minierave në vend kanë protestuar para hyrjes së Parlamentit.
Pak ditë më parë ishin sindikatat që paralajmëruan protesta. Kreu i Sindikatës së Minatorëve, Fiqiri Xibri tha se, projektligji u rrëzua me katër pretendime që nuk qëndrojnë. Ai i kërkoi deputetit Spahiu të këmbëngulë për miratimin e statusit. “Ne sigurisht që do tëtentojmë të organizohemi sa më shpejt, për të dalë në protesta, sepse është një qëndrim skandaloz i mbajtur nga Partia Socialiste dhe qeveria”, u shpreh Xibri.
Fiqiri Xibri, kryetar i Sindikatës së Minatorëve, bëri të ditur, se mazhoranca rrëzoi propozimin me katër pretendime, që sipas tij nuk qëndrojnë. “Janë katër argumenta, të cilat janë ngritur nga qeveria, që ka një kosto dhe nuk duan të përballen, ka ndeshje me Kushtetutën dhe Kodin e Punës, që nuk është e vërtetë, krijohen vështirësi, pasi ka akte të tjera ligjore për të drejtat e minatorëve dhe krijohen vështirësi në zbatimin praktik, por që nuk është e vërtetë, dhe i shton punë Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe kaq”, tha ai.

 

Exit mobile version