Salah: E prisja këtë sukses!

Mohamed Salah po arrin rekorde që kur mbërriti te Liverpool-i, ndërsa shton se pa u treguar arrogant, gjithmonë e kishte “pritur” këtë sukses. Pas eksperiencës për t’u harruar me Chelsea-n (2014-2016), ndërkombëtari egjiptian u rikthye në futbollin anglez verën e kaluar te “Të Kuqtë” për një shifër 36.9 milionë stërlina nga Roma, asokohe një rekord për Liverpool-in. Nuk vonoi dhe Salah e ka shpërblyer më së miri besimin e trajnerit Jurgen Klopp, si dhe ka bërë të heshtin të gjithë zërat kritikë. Me 28 golat e shënuar në të gjitha kompeticionet Faraoni ka fituar zemrat e tifozërisë së “Anfield Road”.
“Nuk dua të dukem arrogant, por që të jem i sinqertë e prisja këtë sukses. Kur isha në Romë, ndihesha mirë. Kam përjetuar dy sezone të mira atje. Isha i lumtur. Gjithmonë përpiqem për një shans të ri dhe gjithmonë e vendos veten nën presion. Nuk pata mundësi të tregoja veten tre vjet më parë kur luaja te Chelsea. Tani jam rikthyer të tregoj futbollin tim dhe mendoj se po bëj mirë”, u shpreh Salah në një intervistë për “FourFourTwo”.
Shpërthimi i Salah me Liverpool-in e ka renditur atë në një nga kandidatët e mundshëm për të fituar “Topin e Artë” në të ardhmen. Nëse kjo do të ndodhë në “Anfield” apo diku tjetër mbetet për t’u parë, me Real Madrid-in mes admiruesve të shumtë të egjiptianit. “E kam dashur Liverpool-in që në moshë më të re dhe e dija se ishte një klub ku dëshiroja të luaja. E njihja historinë e tij dhe sapo m’u dha rasti menjëherë e pranova. Duhet ta realizoja”, tha ish-lojtari i Romës dhe Fiorentinës. Fjalë të bukura për Jurgen Klopp-in dhe tifozët e Liverpool-it që shpresojnë ta kenë për një kohë të gjatë egjiptianin në “Anfield”.