Ballina Politikë Kryemadhi: Vota në OKB, Rama votoi i kushtëzuar nga tutorët

Kryemadhi: Vota në OKB, Rama votoi i kushtëzuar nga tutorët

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, foli dje në Parlament për votën e Shqipërisë kundër SHBA-së në OKB. Kryemadhi tha se vota e 21 dhjetorit ishte faqja më e errët në historinë e politikës së jashtme. Kryetarja e LSI-së tha se, Rama votoi i kushtëzuar nga tutorët e tij dhe nuk veproi në interes kombëtar. “Argumentat që kjo mazhorancë përdori për të fshehur qëllimin e vërtet, pas këtij qëndrimi dhe votimi, as nuk qëndrojnë dhe as nuk mund të bindin dot njeri, dhe aq më pak administratën amerikane. Argumentin se Shqipëria ndoqi qëndrimin e Bashkimit Europian, si një pjesë e detyrimit në kuadër të procesit të integrimit europian është vetëm një mashtrim politik. Vendet e asociuara apo kandidate për në BE kanë vetëm një detyrim në kuadër të politikës së jashtme dhe sigurisë së Unionit”, u shpreh ajo. Gjithashtu, Kryemadhi tha që kjo është një votë kundër interesave mbarëkombëtare shqiptare, si dhe shumë veprime të tjera antikombëtare që Rama ka kryer për Shqipërinë. “Kryeministri ynë që nuk lë rast pa na treguar sesa i ditur e erudit është, sesa shumë i referohet Ismail Qemalit, Konicës, Nolit e atdhetarëve të tjerë, s’është gjë tjetër veçse një bylmez me demenca historike, politike dhe diplomatike, pasi përpara se t’i kundërvihej SHBA dhe Presidentit Trump, qëndrimin ndaj të cilit në mënyrë të pacipë dhe të turpshme e bëri edhe gjatë fushatës elektorale në SHBA, duhet të kishte kujtuar sesa shumë i detyrohen shqiptarët Shteteve të Bashkuara të Amerikës, popullit amerikan dhe udhëheqësve të këtij vendi të madh. Edi Rama duhet të kishte kujtuar Presidentin Willson dhe platformën e tij në Konferencën e Paqes, ku sanksionoi të drejtën e popullit shqiptar për vetëvendosje në një kohë që ishte pranë copëtimit dhe ndarjes mes fuqive ballkanike të kohës. Prandaj qëndrimi i Edi Ramës ka qenë i kushtëzuar nga tutorët e tij dhe aspak nga interesi kombëtar. Ka një shprehje në gjuhën angleze që thotë “a friend in need, is a friend indeed” që do të thotë: “një mik që të gjendet në nevojë është një mik i vërtetë”, tha Kryemadhi.

Exit mobile version