United kërkon Kovaçiç nga Real Madrid

Sipas asaj që referon media spanjolle “AS”, Mateo Kovaçiç ka përfunduar në orbitën e skuadrës angleze të Manchester United, në kuadër të përpjekjeve për të përforcuar kontigjentin e “Djajve të Kuq” për fushatën verore të merkatos. Bazuar në aludimet spanjolle, ish-trajneri i Real Madrid, që tani drejton klubin e Premier League, synon të përmirësojë mesfushën dhe ka përzgjedhur mesfushorin kroat, si kandidatin potencial.
Tekniku i Manchester United sheh te Kovaçiç përforcimin e synuar për sezonin e ardhshëm në mesfushë. Ish-mesfushori i Inter nuk do ta shihte me sy të keq një transferim në Premier League, për më tepër edhe për shkak të raporteve jo ideale me trajnerin aktual të Real Madrid, Zinedine Zidane, që deri tani nuk i ka dhënë hapësirat dhe minutazhin e mjaftueshëm kroatit Kovaçiç. Mbi këtë të fundit ekziston edhe interesimi i Tottenham, ndërkohë që alternativat e tjera për mesfushën e United janë edhe Milinkoviç-Saviç nga Lazio dhe Fred nga Shakhtar.