UEFA: Presidenti i Federatës do të punojë për të zhvilluar më shumë futbollin

Zgjedhjet për kreun e FSHF-së i ka përshëndetur edhe zv/presidenti i UEFA-s, Grigori Surkis, i pranishëm gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të kësaj të mërkure, por që ka ardhur në Tiranë prej afro një jave për monitorimin e procesit, që duket se ka marrë notat më të larta.
“Mendimi im është se familja e futbollit shqiptar tregoi sot një nivel të lartë të tolerancës. Pavarësisht të gjitha vështirësive që pati në ditën e fundit përpara punimeve të Asamblesë së Përgjithshme, delegatët demonstruan një nivel të lartë të parimeve të demokracisë dhe transparencës. Gjëja kryesore mendoj se është respekti ndaj njëri-tjetrit. Sigurisht që pati një kandidat fitues nga këto zgjedhje, pati gjithashtu dy kandidatë që nuk ia dolën me sukses në këtë garë, por mendimi im është se nuk ka të humbur. I takon presidentit të Federatës që të punojë tashmë për të zhvilluar më shumë futbollin në këtë vend, ndërsa edhe ne kemi disa ide të reja, se si t’ju vijmë në ndihmë. Dëshiroj të përgëzoj edhe Armand Dukën, për fitoren në këto zgjedhje”, tha Surkis.
Zv/presidenti i UEFA-s vuri theksin te përpjekjet e vazhdueshme, e pse jo të përforcuara, për zhvillimin e mëtejshëm të futbollit shqiptar.