Sulm me armë zjarri në Elbasan, një i plagosur

Një sulm me armë zjarri ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në qytetin e Elbasanit, ku për pasojë një person ka mbetur i plagosur. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e djeshme rreth orës 19:40, afër kryqëzimit të Cërrikut në qytetin e Elbasanit. Mësohet se nga shkëmbimi i zjarrit ka mbetur i plagosur me një plumb Raif Çaushllari, 23 vjeç, pronar i një motoservisi. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se, ndaj Raif Çaushllarit është qëlluar me pistoletë. I riu është transportuar për në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Bëhet e ditur se 23-vjeçari është plagosur në krah, ndërsa ai rezulton se është pronar i një motoservisi të vogël. Burimet bëjnë të ditur se Çaushllari njihet si mik i fisit Çapja. Deri më tani nuk dihen rrethanat e ngjarjes, ndërsa thuhet se vëllai i tij është me precendete penalë.
Policia e Elbasanit e mbështetur nga FNSH ka ngritur menjëherë pika kontrolli dhe po krehin zonën përreth ku ka ndodhur ngjarja. Janë shoqëruar disa persona që kanë parë ngjarjen dhe po punohet me intensitet me grup të posaçëm për zbardhjen e ngjarjes. “Rreth orës 19:40, afër kryqëzimit të Cërrikut, është plagosur me armë zjarri pistoletë nga persona ende të paidentifikuar shtetasi R. Ç rreth 23 vjeç, pronar i një motoservisi. Shtetasi i plagosur ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia e Elbasanit e mbështetur nga FNSH ka ngritur menjëherë pika kontrolli dhe po krehin zonën përreth ku ka ndodhur ngjarja. Janë shoqëruar disa persona që kanë parë ngjarjen dhe po punohet me intensitet me grup të posaçëm për zbardhjen e ngjarjes. Grupi hetimor në vendngjarje ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e krimit”, thuhet në njoftimin e policisë.
Autorët e kësaj ngjarje ende nuk janë kapur nga policia.