Revolta e naftëtarëve ndaj Ramës: “Mashtrues, mjaft u talle me ne”!

Punonjësit e Rafinerisë së Naftës në Ballsh kanë protestuar sërish dje para Prefekturës së Fierit. Naftëtarët thonë se, refuzojnë të regjistrohen si të papunë, duke kërkuar me urgjencë statusin e naftëtarit. Naftëtarët kanë kërkuar takim me Prefektin, pasi 1200 punëtorë të Rafinerisë janë akoma pa zgjidhje.
“Premtime boshe. Ne nuk kemi fituar asgjë, as pagën e dhjetorit, as të janarit, as vazhdimësinë e punës, as statusin e naftëtarit, dhe më keq akoma as sigurimet shoqërore. Na kanë mashtruar, na kanë gënjyer. Bëni letrat, kot thonë, çojini në Tiranë, hajdeni lart, hajdeni poshtë. Ne nuk dimë se çfarë statusi kemi sot. Jemi të papunë se na regjistrojnë të papunë. Zoti prefekt, na ka gënjyer në të gjitha mbledhjet që kemi bërë. Duam të na kthejë përgjigje sot”, u shpreh një nga naftëtarët në protestë.
Naftëtarët u shprehën se nuk pranojnë të regjistrohen si të papunë. “Jo, jo, si të papunë. Ne duam statusin e naftëtarit urgjent. Ne duam punë, sot vemi në punë po të na thojë. Duam punë”, tha një naftëtar.
Naftëtarët thanë se kryeministri i mashtroi kur bëri videkonferencë. “Ne kërkojmë 80% të 330 mijëshes, të marrim 260 mijë lekë në muaj. Kryeministri bëri videkonferencë, na gënjeu, na mashtroi, jemi pa bukë. Iku shkurti, si do të vejë puna jonë, korenti nuk paguhet, uji nuk paguhet. Jemi në ajër. Prefekti na premtoi se do të na ndihmojë, për 10 ditë do t’u jap përgjigje, as nuk del, na gënjeu, na mashtroi. Jemi të detyruar të rrimë këtu se vimë për bukën e gojës. Nuk e di si do të vejë puna jonë, jemi 1200 punëtorë. I lutemi kryeministrit dhe prefektit, çfarë do të bëhet me ne?, u shprehën naftëtarët.
Naftëraët i kërkuan kërkuan kryeministrit që të mos tallet më me ta. “Mos u tall më me ne, me familjet tona. Ai kolltuku jot është me votat tona”, u shpreh një naftëtarë tjetër.
Në protestën e para pak ditëve ara Prefekturës së Fierit naftërat u përplasën me policinë. Naftëtarët kërkonin përgjigje nga prefekti për kërkesat e tyre për vënien në punë të uzinës dhe marrjen e pagave të prapambetura, por prefekti nuk pranoi të jepte asnjë përgjigje për kërkesat e tyre. Ndërsa policia i shpërndau me dhunë protestuesit e shumtë që ishin mbledhur para Prefekturës. Forcat e shumta të policisë kanë rrethuar naftëtarët dhe kanë shtyrë me forcë disa prej tyre që të largoheshin nga Prefektura. Naftëtarët janë revoltuar pas dhunës policore dhe bllokuan rrugën, duke marshuar mes për mes qytetit. Si pasojë u bllokua qarkullimi i automjeteve për rreth një orë, duke krijuar kaos. Më pas, naftëtarët janë shpërndarë qetësisht, duke kërcënuar se do të përshkallëzojnë protestën, duke e zhvendosur atë në Tiranë ditën e hënë.
Ndërkohë, Qeveria ka nxjerrë sërish në shitje 3 vendburime nafte në jug të vendit. Bëhet fjalë për bllokun Cakran – Mollaj në Fier dhe Gorisht – Kocul e Amonicë në qarkun e Vlorës. Afati i aplikimit për shoqëritë që kërkojnë të marrin në shfrytëzim këto blloqe është data e fundit e muajit mars.
Një urdhër i firmosur nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, urdhëron kompaninë Albpetrol që të fillojë menjëherë procedurat e shpalljes së blloqeve të lira dhe të nisë punën për ngritjen e grupit të vlerësimit dhe të hartimit të termave të kontratave.
Blloku i Amoncës ishte në përdorim nga kompania Phoenix Petrolium, por për shkak të mos përmbushjes së kushteve në kontratë dhe vlerës së investimit, asaj iu hoq e drejta e kërkimeve në mars të 2017-ës.