Neymar kërkon Moratën te PSG

Ylli i PSG-së Neymar i ka kërkuar bordit të klubit të tij që të nënshkruajë me Alvaro Moratën këtë verë, lajmëron “Don Balon”. Sipas spanjolles sportive, marrëdhënia e brazilianit me uruguajanin Edinson Cavani nuk ka shanse të funksionojë dhe Neymar mendon se Morata është opsioni më i mirë për të kompletuar treshen e sulmit të PSG-së së bashku me Kylian Mbappe.
Neymar-Cavani përplasjen e parë në fushë e patën në tetor në vitit të kaluar për ekzekutimin e një penalltie. Kjo situatë ka vijuar me të tjera incidente, ku i fundit ishte sërish për një penallti në ndeshjen e fituar 8-0 ndaj Dijon në Ligue 1. Një moment që siç duket nuk është kapërcyer nga Neymar që ka nxituar t’i kërkojë drejtuesve të klubit zëvendësuesin e Cavani-t.
Alvaro Morata iu bashkua verën e kaluar Chelsit ku nuk po kalon një formë të mirë, duke shënuar vetëm katër gola në Premier League që nga shtatori dhe gjasat janë që të humbasë vendin pas mbërritjes së Olivier Giroud në “Stamford Bridge” nga Arsenal-i. Morata gjithashtu ka shfaqur probleme me përshtatjen në futbollin anglez ndaj dhe mund të dëshirojë të largohet.
Sipas “Don Balon” PSG-ja synon të përmbushë kërkesën e Neymar-it për ta bërë sa më të lumtur lojtarin e tij ndaj të cilit është i fortë interesi i Real Madrid-it.
Raporti sugjeron gjithashtu se Chelsi do të kërkojë 70 milionë stërlina për numrin 9 të tij, ndërsa skuadra e Ligue 1 mund të ofrojë Cavani-n për ta bërë të mundur këtë marrëveshje.