Garë për një vend në Champions

Pas Krishtlindjeve ka ardhur frenimi i madh. Dy të parat e klasifikimit në Serie A janë shkëputur, ndërsa gara për dy vendet e tjera në Champions ka mbetur në vendnumëro dhe më shumë se një garë vrapimi duket një ecje. Lazio, Inter dhe Roma, teorikisht do të luftojnë për dy vendet e mbetura në veprimtarinë elitare, sepse Napoli dhe Juventus e kanë garantuar pjesëmarrjen, por në muajin e fundit ritmi i tyre ka qenë i njëjtë me vendet e fundit të klasifikimit.
Që nga 30 dhjetori, në javën e fundit të fazës së parë, Lazio dhe Roma kanë luajtur nga gjashtë ndeshje, ndërsa Inter pesë ndeshje. Zikaltërit kanë marrë pesë pikë, si pasojë e pesë barazimeve ku përfshihen edhe ato 0-0 kundër Lazio dhe 1-1 kundër Roma. Lazio ka marrë 10 pikë në gjashtë ndeshje, ku pas barazimit ndaj Inter dhe tre fitoreve radhazi erdhën humbjet e njëpasnjëshme me Milan dhe Genoa. Roma ka marrë gjashtë pikë, me tre barazime, dy humbje dhe fitoren e vuajtur kundër Verona, të dielën e kaluar.
Pikërisht ky bilanc negativ i këtyre tre ekipeve duket se ka ngjallur shpresën e skuadrave ndjekëse. Më shumë se Sampdoria (8 pikë larg) ose Atalanta (9 pikë larg) shpreson Milan, që pas Krishtlindjeve ka grumbulluar më shumë pikë se të gjithë, 11. Barazimet në Firence dhe Udine kanë pasur tre fitore radhazi. Sigurisht që 10 pikë larg zonës Champions janë shumë për ekipin e Gattuso-s, por nëse “frenimi” i Lazio, Inter e Roma do të vazhdojë…