I burgosuri “çan” Apelin e Gjirokastrës

24-vjeçari Saimir Ahmeti u arratis nga ambientet e Gjykatës së Apelit Gjirokastër, por liria e tij zgjati vetëm 2 orë para se të përfundonte sërish në prangat e policisë. Ai u gjet dhe u arrestua në një pus uji në zonën muzeale të qytetit, ku sipas burimeve policore është gjetur me dëmtime në trup, të dyshuara se janë shkaktuar nga nxitimi. “Shtetasi Saimir Ahmeti u gjet i fshehur në një pus në lagjen “Partizani”, Gjirokastër, falë punës së mirorganizuar nga Policia e Gjirokastrës, si dhe informacioneve të marra në kohë reale nga qytetarët, të cilët i falenderojmë për bashkëpunimin”, informon policia.
24-vjeçari është dërguar në Spitalin Rajonal ku po merr ndihmë mjekësore para se të përfundojë sërish në qeli. Saimir Ahmeti nga Vana e Delvinës do të dilte rreth mesdites para Gjykatës së Apelit ku kishte apeluar një masë sigurie “arrest me burg” të Gjykatës së Shkallës së Parë të Sarandës për veprën penale të përndjekjes.
Por para se të dilte në seancë, burimet thonë se, Ahmeti u ka kërkuar forcave të Policisë së Burgjeve të Sarandës që ta shoqëronin në tualet dhe këta të fundit i kanë hequr edhe prangat. 24-vjeçari, fillimisht ka shtyrë policët që e shoqëronin dhe më pas ka dalë me shpejtësi nga dera e Gjykatës.
Në Gjykatë në atë kohë ndodheshin edhe familjarë të 24-vjeçarit, të cilët i kanë bërë thirrje që të heqë dorë nga arratisja në kohën kur kanë vënë re lëvizjet e tij. Por në një reagim për arratisjen e radhës nga gjykatat shqiptare, Policia e Gjirokastrës theksoi se Saimir Ahmeti ishte shoqëruar në Gjykatë vetëm nga shërbimet e Policisë së Burgut Sarandë, të cilat nuk kishin kërkuar masa mbështetëse gjatë seancës.
I riu ishte arrestuar më 24 janar nga Policia e Delvinës për përndjekje dhe kërcënim të bashkëjetueses Bleona Habibi 18 vjeç, edhe kjo banore e fshatit Vanë. Burimet nga qyteti jugor thonë se dy të rinjtë jetonin bashkë prej disa muajsh dhe kishin bërë edhe një ceremoni dasme, por familja e vajzës nuk kishte dhënë dakordësi.