Amendamenti PD: Jo sahat për puset e ujit të qytetarëve

Deputeti demokrat Endri Hasa depozitoi në Parlament amendamentin që përjashton nga pagesa familjet në fshat dhe qytet, që përdorin puset për t’u furnizuar me ujë.
Në projektligjin e Ministrisë së Bujqësisë tarifa e përdorimit të ujit nga puset nuk përcaktohet, duke e lënë atë në vullnetin e qeverisë. Për të penguar arbitraritetin e qeverisë, deputeti Endri Hasa propozon që të vendoset në ligj përjashtimi nga tarifat për çdo familje që nëpërmjet puseve, plotëson nevojat familjare për ujë apo i përdor puset për qëllime bujqësore dhe blegtorale.
Ministrisë së Bujqësisë i mungojnë të dhënat e familjeve që përdorin puset për këto qëllime, por sipas të dhënave të INSTAT për ata që jetojnë në fshat, janë rreth 300 mijë familje përfituese nga nisma e Partisë Demokratike, nëse ajo do të pranohet nga qeveria.
Deputeti Endri Hasa propozoi gjithashtu që fushata 6-mujore e parashikuar nga qeveria për informimin e qytetarëve dhe plotësimin e dokumentacionit, të zgjerohet në dy vjet për t’u dhënë përdoruesve të puseve kohë të mjaftueshme për regjistrimin e tyre.

Argumentimi

Nisur nga problematika aktuale ku një numër i madh individësh dhe fermerësh kanë në përdorim puse për shfrytëzimin e ujërave nëntokësore, dhe kjo nisur nga paaftësia e qeverisjes për t’i garantuar këtë shërbim jetik dhe në vijim të mungesës së theksuar të furnizimit me ujë nga Ujësjellësit përkatës, lind nevoja që për familjarët dhe fermerët që kanë në përdorim apo do të venë në përdorim puse në të ardhmen të ndihmohen, duke u përjashtuar nga pagimi i tarifave të ujit. Ky përjashtim do të jetë për individët dhe fermerët e vetëpunësuar që përdorin puse individuale apo kolektive, për qëllime të përmbushjes së nevojave familjare, apo për qëllime bujqësore dhe blegtorale nga fermerët e vetëpunësuar. Kjo nismë i vjen në ndihmë shumicës dërrmuese të familjeve në fshat dhe familjeve në zonat urbane që nuk kanë furnizim të mjaftueshëm me ujë.
Gjithashtu për shkak se procesi i vetëdeklarimit do të kërkojë informimin e individëve dhe subjekteve, duke zhvilluar paralelisht një fushatë informuese për popullatën dhe duke qenë se individët dhe subjektet e përfshira në këtë proces janë në numër të konsiderueshëm, por që ministria e pranoi që nuk ka bërë asnjë përllogaritje për numrin e tyre, mendoj që afati i propozuar nga qeveria brenda të cilit subjekteve do t’iu jepet e drejta e regjistrimit të bëhet 2 vjet nga data e hyrjes në fuqi e ligjit.

Për këto arsye:

Në mbështetje të nenit 75 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, ku specifikohet se:
“Çdo deputet ose Këshilli i Ministrave ka të drejtë të paraqesë në seancë plenare amendamente për projektligjin ose ndryshimet e propozuara nga komisioni përgjegjës, me kusht që ato të jenë të regjistruara paraprakisht në sekretari të pakten 24 orë para fillimit të seancës plenare dhe t’u jenë shpërndarë deputetëve të tjerë”, paraqes amendamentin sipas Aneksit 1 bashkëlidhur, për shqyrtim dhe miratim në seancë plenare.
Duke e vlerësuar si thelbësore mbrojtjen e interesit të qytetarëve shqiptarë, kërkoj bashkëpunimin e çdo deputeti për miratimin e këtyre ndryshimeve.

Propozimet për menaxhimet e burimeve ujore

Aneksi 1
Në projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin Nr. 111/2012, “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”, bëhet kjo shtesë dhe ndryshim:
Neni 1
Pas nenit 57, shtohet neni 57’/1, me këtë përmbajtje:
«Neni 57/1
Në nenin 92, shtohet paragrafi 4, me përmbajtje si më poshtë vijon:
«4. Përjashtohet nga pagimi i tarifave të ujit individët, që përdorin puse individuale apo kolektive, për qëllime të përmbushjes së nevojave familjare apo për qëllime bujqësore dhe blegtorale nga fermerët e vetëpunësuar».

Neni 2

Në nenin 66, bëhen këto ndryshime:

a) Paragrafi 1, ndryshohet me përmbajtje si më poshtë vijon:
“1. Subjektet fizike dhe juridike, të cilat shfrytëzojnë ujërat nëntokësore pa u pajisur me leje apo autorizim, sipas dispozitave të Ligjit Nr. 111/2012, “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”, duhet të vetëdeklarojnë veprimtarinë e tyre përpara zyrave të administrimit të baseneve ujore, brenda 2 (dy) viteve nga data e hyrjes në fuqi e këtij ligji”.

b) Paragrafi 2, ndryshohet me përmbajtje si më poshtë vijon:

“2. Brenda 30 ditëve nga data e hyrjes në fuqi e këtij ligji, Këshilli i Ministrave përcakton procedurën që do të ndiqet dhe dokumentacionin që duhet të plotësojnë subjektet vetëdeklaruese”.