50 mijë euro për një votë në garën për Federatën

50 mijë euro për një votë. Kjo ishte panorama e orëve të fundit në prag të garës për kreun e Federatës shqiptare të Futbollit. Një nga anëtarët e Asamblesë së Federatës tha dje për “RD” se atij i ishin afruar 50 mijë euro në këmbim të votës për kreun e Federatës. Burimni i parave kanë qenë të afërt me pushtetin që i kanë kërkuar anëtarit të votonte për Bashkim Finon. “Nuk i pranova sepse nuk mund të tjetërsoj votën time në këmbim të parave”, tha anëtari i Asamblesë, i cili nuk pranoi që emri i tij të bëhej publik. Anëtari i Asamblesë tha se propozimi i ishte bërë të hënën në darkë, ose dy ditë përpara votimit duke treguar edhe lidhjet e ofertuesit me pushtetin.
Pas deklaratave dhe paralajmërimet të forta të UEFA-s për mos implikimin e politikës në zgjedhje te FSHF, Bashkim Fino nuk ka mundur dot të fitojë postin e Presidentit të FSHF. Me raundin e parë që asnjëri nga 3 kandidatët nuk mori votat e mjaftueshme për të marrë postin e presidentit të FSHF-së, në raundin e dytëm Armand Duka mori 38 vota, kundrejt 24 votave që mori Bashkim Fino. Procesi u mbajt në ambjentet e hotel “Adriatik” në Durrës. Në garë për kreun e FSHF-së mori pjesë dhe ish-gjyqtari Shpëtim Hala.
Pas mësimit të rezultatit, Armand Duka deklaroi: “E kam thënë dhe në përfundim të votimin, që jam i lumtur se shumica e anëtarëve më besuan. Kanë vlerësuar kontributin dhe kjo me të vërtetë më bën të lumtur. Pasi ka dalë rezultati kam menduar se çfarë duhet të bëj gjatë këtij mandati, duke marrë dhe nga projekti i Finos dhe Halës. Do të doja të ritheksoja për mënyrën se si u organizua kjo asamble dhe këtë ne i demostruan jo vetëm atyre që ishin në dhomë, por edhe jashtë saj. Jo, emocionet e Europianit nuk mund t’i krahasoj me asgjë. Nuk e konsideroj si të njëjtë, por ishte një emocion ndryshe, që nuk mund ta shpreh. Nuk jam trup gjykues, por jam president. Duhet të mendoj se si të kthej ato 24 vota kundra për t’i ofruar afër familjes së FSHF-së”.
UEFA uron Dukën
Zgjedhjet për kreun e FSHF-së i ka përshëndetur edhe zv/presidenti i UEFA-s, Grigori Surkis, i pranishëm gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të kësaj të mërkure, por që ka ardhur në Tiranë prej afro një jave për monitorimin e procesit, që duket se ka marrë notat më të larta.
“Mendimi im është se familja e futbollit shqiptar tregoi sot një nivel të lartë të tolerancës. Pavarësisht të gjitha vështirësive që pati në ditën e fundit përpara punimeve të Asamblesë së Përgjithshme, delegatët demonstruan një nivel të lartë të parimeve të demokracisë dhe transparencës. Gjëja kryesore mendoj se është respekti ndaj njëri-tjetrit. Sigurisht që pati një kandidat fitues nga këto zgjedhje, pati gjithashtu dy kandidatë që nuk ia dolën me sukses në këtë garë, por mendimi im është se nuk ka të humbur. I takon presidentit të Federatës që të punojë tashmë për të zhvilluar më shumë futbollin në këtë vend, ndërsa edhe ne kemi disa ide të reja, se si t’ju vijmë në ndihmë. Dëshiroj të përgëzoj edhe Armand Dukën, për fitoren në këto zgjedhje”, tha Surkis.
Zv/presidenti i UEFA-s vuri theksin te përpjekjet e vazhdueshme, e pse jo të përforcuara, për zhvillimin e mëtejshëm të futbollit shqiptar.