Vrasja në Tiranë, “Kontrata e vdekjes” u firmos në burgjet greke

Mediat greke zbulojnë detaje të reja në lidhje me ekzekutorin e Devi Kasmit në Tiranë, Eftimiu Eftimius. Sipas shtypit fqinj, vrasja e 41-vjeçarit Kasmi në kryeqytet u urdhërua nga burgjet greke. Ka qenë një i burgosur shqiptar në burgjet greke që urdheroi vrasjen e Devis Kasmit, thuhet në reportazh.
Ekzekutori Efthymoius ka punuar për policinë greke në vitin 2004, dhe deri në vitin 2011, kur u shkarkua përfundimisht kaloi 3 herë para këshillit disiplinor të policisë greke për shkarkim detyre dhe 4 vite më vonë, ai është arrestuar për trafik droge, plastografi (dokumenta false) dhe shkelje të ligjit për të huajt.
Një vit me vonë u arrestua përsëri për trafik droge në Kapshticë, ndërsa në mars 2012 u arrestua në Aeroportin Eleftherios Venizelos, si i kërkuar i policisë gjermane ku ka kryer dënim për drogë. Në vitin 2016 u arrestua në Arta bashkë me bandën e përbërë nga 30 grekë e shqiptarë për trafik kokaine. Një vit më pas i hoqën akuzat e pjesëmarrjes në organizatë kriminale dhe u dënua me 4 vjet me shtyrje, pasi është dhe përdorues, sipas avokatit.
Gjykata ka vendosur masën “Arrest me burg” për Eftimiu Eftimius dhe 3 anëtarëve të tjerë të bandës të arrestuar si të dyshuar për vrasjen e Devi Kasmit në Tiranë një javë më parë.
Në seancën e djeshme gjyqësore, kundër grupit të strukturuar kriminal të arrestuar për organizimin dhe vrasjen e Devi Kasmit mbrëmjen e 29 dhjetorit, janë dëgjuar dëshmi me vlerë, nga të cilat kanë dalë në dritë detaje të reja.