Spaho: Betejë e fortë opozitare në Parlament dhe në rrugë

Në një intervistë televizive deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho tha se aksioni opozitar do të vijojë paralelisht me protestat në rrugë dhe luftën e fortë politike në Kuvend.
Partia Demokratike dhe partitë e tjera opozitare në vend do të vijojnë protestat kundër qeverisë Rama. Ndonëse ende nuk është vendosur data e protestës së radhës, deputeti demokrat Edmond Spaho thotë se, pjesëmarrja e qytetarëve në marshimin e 27 janarit, e rrit përgjegjësinë e opozitës.
Teksa është ndalur tek situata e krijuar në Kuvend të enjten e kaluar, dhe përjashtimin e tij nga seanca, Spaho thotë se kryeparlamentari Ruçi bën rolin e gardianit, duke ndjekur politikën e Ramës.
“Mu duk një veprim shumë i nxituar i Kryetarit të Kuvendit, pasi qëndrimi im ishte në përputhje me rregulloren. Unë kërkova fjalën për procedurë për të parashtruar një kërkesë të PD-së. Ndaj fakt propozimi im ishte në linjën e zhvillimeve të fundit, pasi është ekstraduar dëshmitari kryesor në dosjen Habilaj, dhe do ishte jo normale që opozita të mos e parashtronte një situatë të tillë. Ishte normale të kërkonim që kryeministri Rama të ishte i pranishëm dhe të jepte shpjegime për këtë gjë. Por në këtë çast ndërhyrë kryeparlamentari Ruçi, dhe ngjarjet rodhën ashtu. Nuk është hera e parë që Ruçi reagon në një mënyrë të tillë.
Ne kemi marrë një mesazh nga qytetarët shqiptarë në protestën e 27 janarit. Pjesëmarrja masive tregoi se, qytetarët kërkojnë të shikojnë ndryshim. Dhe strategjia jonë është që të përpiqemi për këtë ndryshim. Aksioni ynë politik do të jetë kombinim i protestave në rrugë, së bashku me luftën e fortë politike në Kuvend; do të ketë protesta të tjera si ajo e 27 janarit, nuk e kemi përcaktuar ende datën. Intensiteti i protestave do të varet nga zhvillimet politike, dhe nga pjesëmarrja në protesta. Ne në asnjë rast nuk do lejojmë që të na hiqet e drejta e fjalës. Nëse në çdo rast ne duhet të marrim leje nga Ruçi për ato që duam të themi, atëherë ne do të jemi fiktivë në Parlament, dhe nuk do të përmbushim rolin tonë”, u shpreh deputeti Spaho.
Duke u ndalur tek rasti i ekstradimit të Nazer Seitajt në Itali, i ashtuquajturi financieri i Habilajve, deputeti demokrat tha se në seancën parlamentare të radhës, është kërkuar interpelancë me ministren e Drejtësisë.
Sipas Spahos, këto janë përpjekjet e kryeministrit Rama për të shpëtuar ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.
“Këtë të enjte ne kemi kërkuar një interpelancë me ministren e Drejtësisë, pasi e gjykojmë si një nga personat më fajtorë për ekstradimin e jashtëligjshëm të Nazer Seitajt. Edhe Prokuroria e Përgjithshme, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Policia janë fajtorë për këtë ekstradim. Duam të hedhim dritë mbi përpjekjet që po bën mazhoranca për ta nxjerrë të pafajshëm Saimir Tahirin. Emërimi i Prokurores së Përkohshme synonte prishjen e provave që rëndojnë situatën e Tahirit. Po kështu edhe lëvizjet në Prokurori tregojnë për përpjekjet që po bëhen në këtë drejtim”, tha deputeti Edmond Spaho.
Kreu i Grupit parlamentar të PD, Edmond Spaho, komentoi qëndrimin kundër të PD për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës, pasi sipas tij është një aferë korruptive dhe nuk ka transparencë. Spaho u shpreh se, nëse aeroporti del me humbje, shpenzimet do i paguajë qeveria me taksat e shqiptarëve.
“Ndërtimi i Aeroportit të Vlorës është një aferë korruptive dhe mungon transparenca. Ne nuk kemi asnjë informacion për ofertën për aeroportin. Thuhet se këto dy kompani turke do e ndërtojnë aeroportin me paratë e veta, por kjo nuk është e vërtetë, pasi ato kanë kërkuar garanci pasurore. Pra, nëse aeroporti nuk arrin fitimet dhe kushtet e parashikuara ose ka humbje do shpërblehet nga qeveria me taksat e shqiptarëve. Aeroporti i Vlorës nuk është investim privat. Një tjetër element është se do ndërtohet aeroport më i madh se i Tiranës, pra ky është biznes i marrë nga Tirana. Nëse sot fitimet janë 15 milionë lekë, ato do përgjysmohen, pasi Aeroporti i Vlorës do marrë fluksin e Tiranës. Shqipëria nuk ka nevojë për dy aeroporte gjithëvjetor”, tha Spaho.
Ndërkohë i pyetur se pse opozita po bën rezistencë dhe nuk pranon kandidatët për KLGJ dhe KLP, deputeti demokrat tha se është shkelur Kushtetuta dhe kandidatët nuk plotësojnë kriteret.
“Është shkelur Kushtetuta me mënyrën si eliminohen dhe kalojnë nëpër sitën e filtrave kandidatët dhe nuk plotësojnë kriteret. Ka njerëz që janë eliminuar nga ONM dhe nuk duhet të jenë pjesë e KLP dhe KLGJ. Reformën në Drejtësi po e pengon Edi Rama dhe kërkon të kapë drejtësinë”, tha ai.
Sa i përket hetimeve ndaj disa zyrtarëve të ARRSH për abuzimet me fondet e rrugës Tiranë-Elbasan, Spaho u shpreh se: “Për çdo akuzë të argumentuar të gjithë duhet të përballen me drejtësinë, por nuk duhet të jenë të motivuara politikisht. Por akuzat dhe hetimet nuk duhet të nisin me opozitën. Nuk duhet të ketë procese të ndikuara politikisht”.