Shoqata e Policëve: Emërimi i Ardi Veliut është i paligjshëm

Shoqata e Punonjësve të Policisë në Lirim kundërshton emërimin e Ardi Veliut si drejtor i ri i Policisë së Shtetit. Në një postim në faqen e saj zyrtare në Facebook, kjo Shoqatë thotë se emërimi është bërë në shkelje të hapur ligjore, pasi gradat që duhet të marrë në 11 vite i ka marrë për 4.
Po kështu, Ardi Veliu nuk përmbush afatin 10-vjeçar të qëndrimit në pozita të larta drejtuese në Policinë e Shtetit, sepse i ka ushtruar këto pozita vetëm 3 vitet e fundit. Shoqata nënvizon se paligjishmëria në emërime është një ndër faktorët kryesorë në kriminalizimin e strukturave të Policisë së Shtetit.
Një ditë më parë, kryeministri Edi Rama, firmosi propozimin e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, për të emëruar Ardi Veliun në postin e kryepolicit të Shqipërisë. Veliu, mbante postin e drejtorit të Policisë së Tiranës dhe para pak ditësh fitoi gradën Drejtues i Parë.