Sekuestrohen 140 kg drogë nga Shqipëria në Greqi

Policia greke ka sekuestruar në tre operacione të ndryshme, 140 kilogramë kanabis të ardhur nga Shqipëria. Operacionet kanë pasur një shtrirje të gjerë gjeografike. Një 37-vjeçar shqiptar u arrestua në vendin e quajtur Kato Lavdani, fare pranë kufirit të gjelbërt të Greqisë me Shqipërinë. Sipas policisë, ai po ruante një sasi të konsiderueshme droge që e kishte futur më herët në brendësi të tokës greke, me qëllim që ta trafikonte në tregun vendas. U sekuestruan tre çanta udhëtimi që kishin brenda 46,6 kg kanabis.
Në Selanik, policia arrestoi tre grekë dhe një shqiptar, në momentin që ndodheshin në një zonë pyjore dhe po përgatiteshin të shisnin një sasi droge. Sapo pikasën policinë, ata u larguan me dy makina, duke lënë aty përreth 8 paketa me më shumë se 27 kg kanabis.
Operacioni i tretë është zhvilluar në Elassona, 40 km nga Larisa. Policia ka ndaluar një shtetas shqiptar me mjetin e tij, brenda të cilit u gjetën dhe u sekuestruan 66,6 kg kanabis i tharë. Nga hetimet rezultoi që 41-vjeçari e kishte marrë mjetin e ngarkuar me drogë, në afërsi të kufirit me Shqipërinë.