Reagimi i ish–ministrit për hetimet ndaj Tiranë-Elbasan: Koha e gjyqeve politike ka mbaruar

Ish-ministri i Transporteve deklaroi sot se ai është i gatshëm të verifikohet, ndërsa deklaroi se koha e gjyqeve politike ka mbaruar. Reagimet e Haxhinastos vijnë vetëm një ditë pas zërave se ai është nën hetim nga Prokuroria për tenderin e rrugës, Tiranë-Elbasan. Haxhinasto thotë se nëse do të goditet politikisht, atëhere ai do të përgjigjet politikisht.
Ish-ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto, aktualisht deputet i Lëvizjes Socialiste për Integrim, është nën verifikim nga prokuroria e Krimeve të Rënda në dosjen e rrugës Tiranë-Elbasan.
Për këtë dosje krimet e rënda kanë nxjerrë 3 masa arresti për ish-drejtorin e rrugëve Dashamir Xhika dhe dy ish-zyrtarë, Albens Alite dhe Aksel Qurduka. Të tre ish-zyrtarët dyshohen për korrupsion dhe shpërdorim detyre me fondet dhe projektet për rrugën Tiranë-Elbasan, me një dëm që prokuroria e përllogarit në 80 milionë euro.
Krimet e Rënda po verifikojnë nëse për të njëjtën dosje Edmond Haxhinasto e ka kryer apo jo detyrën si ministër. Burimet i konfirmuan Top Channel se ka dyshime paraprake se pavarësisht kallëzimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit të vitit 2016 për keqmenaxhim të projektit, ministria e Transporteve nuk ka marrë masa. Por dyshimi më i fortë që po verifikohet është nëse vetë ish-ministri, pas shkeljeve të konstatuara, a ka urdhëruar apo jo ngritjen e një komisioni të brendshëm për vlerësimin e situatës.
Për rrugën Tiranë-Elbasan janë depozituar dy kallëzime në prokurori, më i fundit i dorëzuar nga ministri Damian Gjiknuri më 12 dhjetor 2017, bazuar në një audit të brendshëm. Nga ky audit u evidentua një dëm prej 54 milionë dollarë. Pas hetimeve të prokurores Elisabeta Imeraj, të dielën gjykata e Krimeve të Rënda shpalli arrestin me burg për Dashamir Xhikën, dhe dy ish-zyrtarët e tjerë. Por për Dashamir Xhikën të njëjtën ditë gjykata e Elbasanit konfirmoi një tjetër masë sigurie me burg, për dosjen e rruges Elbasan-Gjinar. Në seancë gjyqësore ishte i pranishëm vetë ish-ministri i transporteve Haxhinasto, për të mbështetur jo vetëm ish-vartësin e tij, por edhe një ish-kandidat për deputet të LSI-së në qarkun e Elbasanit në zgjedhjet e fundit.
Burimet i konfirmuan për Top Channel se edhe dosja e rrugës Elbasan-Gjinar do të vijë te Krimet e Rënda për t’u bashkuar me dosjen e rrugës Tiranë-Elbasan. Gjatë javës Dashamir Xhika do të dalë për njohje me masën e sigurisë edhe para Krimeve të Rënda. Pyetja që shtrohet sot është sa larg do të shkojë ky hetim?