Rama, skenar të mirëorganizuar për të liruar nga burgu Shullazin

 

Dy avokatë të kapobandës Emiljano Shullazi sulmuan dje në sallën e gjyqit kreun e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj. Avokatët e Shullazit thanë në dëshminë e tyre para trupit gjykues se, kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Hajdarmataj e kishte kërcënuar biznesmenin Ylvi Beqaj se, “në rast se nuk do të dëshmonte kundër Shullazit, atëhere ai do të burgosej”. Dëshmia e dy avokatëve është një plan i mirëmenduar dhe i rakorduar i Shullazit me Ramën për të intimiduar kreun e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Po përse Rama? Rama është një nga miqtë e Shullazit, të cilit i ka shumë detyrime. Ish-Kryeministri Berisha denoncoi pak ditë më parë se Rama fliste në telefon me Shullazin, duke i treguar se, si ai do ta lirojë atë nga burgu. Pas kësaj dëshmie vjen edhe skenari i ri i Shullazit përmes dy avokatëve të tij.
Ramës i intereson kjo lojë, sepse nga njëra anë vendos para akuzave, ndonëse imagjinare, kreun e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Hajdarmataj që po heton Tahirin dhe nga ana tjetër këto akuza synojnë të lirojnë mikun e Tij Shullazin.
Si rrallë herë në një seancë gjyqësore, ditën e djeshme në gjyqin ndaj Shullazit dhe anëtarëve të bandës së tij dëshmitarë ishin dy avokatë të të akuzuarit. Dy ish-avokatët e Emiljano Shullazit dhanë dëshmitë e tyre në procesin gjyqësor, ku i kanë dalë në mbrojtje ish-klientit të tyre. Në Gjykatën e Krimeve të Rënda, Nexhdet Kambo u shpreh se, biznesmeni Ylvi Beqaj i kishte shkuar në zyrë, duke i treguar për peripecitë me Zamir Hasën, bashkëaksionerin tjetër të ish-hotel “Vollgës” në Durrës. “Ylvi Beqaj kishte takuar kreun e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmatën, i cili i ka bërë presion Beqaj që të dëshmonte kundër Shullazit ose do ta akuzonte për mbështetje të grupit kriminal. Ylvi Beqajn e kam njohur, pasi u arrestua Shullazi dhe Dani, pasi isha avokat i tyre gjatë seancës së masave”, u shpreh avokati Nezhdet Kambo. Sipas avokatit Kambo, biznesmeni Beqja jo vetëm që nuk është gjobitur prej Shullazit, por ia ka dhënë me dëshirë 30% të aksioneve të “Vollgës”, me qëllim që ai t’i garantonte sigurinë e tij fizike dhe mbrojtjen e pronës.
Avokati u shpreh se, Ylvi Beqja i kishte rrëfyer për një takim me Besim Hajdarmatajn, kreun e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, takim ky i zhvilluar në një lokal në Tiranë. Sipas Kambos, prokurori Hajdarmataj i kërkoi biznesmenit Beqja që të dëshmonte kundër Shullazit, pasi në të kundërt do të ngrinte akuzë për Beqjan, për mbështetje dhe financim të këtij grupi kriminal.
Për shkak se llogaritë bankare të Beqajt ishin të bllokuara, ai kërkonte të holla nga Shullazi, që të largohej jashtë shtetit, pasi kërcënohej nga Zamir Hasa.
Në gjyqin e Shullazit ka dëshmuar dhe avokati Alban Qafa, i cili ka pohuar deklaratën e Nezhdet Kambos. “Ylvi Beqja më tha se, Besim Hajdarmataj i ka bërë presion dhe e ka kërcënuar”, u shpreh Qafa.
Në seancën e mëparshme, Prokuroria e Krimeve të Rënda paraqiti në Gjykatë prova shkresore për procesin ndaj Emiljano Shullazit dhe anëtarëve të bandës së tij. Mes dokumenteve të paraqitura në gjyq nga Prokuroria ishte edhe referim i Policisë së Shtetit i shkurtit 2016 ndaj shtetasve Lulzim Berisha, Plarend Dervishaj dhe Emiljano Shullazi.
Prokuroria tha se, hetimet nisën për këtë të fundit në lidhje me kërcënimet dhe gjobëvëniet ndaj biznesmenëve. Në seancë u paraqiten edhe disa mesazhe në Whatsapp që Ylvi Beqja i shkëmbente me një shtetas të huaj, duke i thënë se po e kërcënonin anëtarët e grupit të Shullazit. Sipas prokurorëve, përmbajtja e tyre, vë me shpatulla pas murit pesë të akuzuarit për “gjobëvënie”, “grup të strukturuar kriminal” dhe “kanosje”.
Përmes një materiali 19 faqesh, prokurorët Elisabeta Imeraj dhe Ened Nakuçi, listuan gjithë shkresat e dosjes, që nga referimi i veprës penale në Prokurori, tek dokumentimi i të gjitha veprimeve hetimore në vijim, përfshi këqyrje vendngjarjesh, akt-ekspertime teknike a gjenetike, këqyrje kamerash sigurie pranë vendit ku u kërcënua rektori Mynyr Koni dhe në bankat ku kanë lëvruar çeqe të pandehurit, si dhe kontratat noteriale apo praktikat gjyqësore mbi pronësinë e ish-hotel “Vollgës” në Durrës.