LSI: Rama po mban peng Shqipërinë larg BE-së

Deputetja e LSI-së, Gjosha, ka sulmuar kryeministrin Rama për atë që po ndodh në vend, gjë që po ndikon negativisht në hapjen e negociatave për anëetarësimin në Bashkimin Europian. Ajo deklaron se Rama është përgjegjës për hapat pas që po bën vendi në mos përmbushjen e detyrimeve për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.
Gjosha shkruan se, pavarësisht projektit të BE-së për t’u zgjeruar në Ballkanin Perëndimor, Shqipëria duket ende larg kësaj dhe përgjegjësinë për këtë e ka qeveria dhe kreu i saj.
“Edhe paragrafi për Shqipërinë rikonfirmonte edhe një herë pasigurinë e Komisionit Europian për plotësimin e një kushti kryesor që është Reforma në Drejtësi. Drejt cilit tren po shkon Shqipëria? Drejt trenit të vlerave të përbashkëta apo drejt trenit të diktaturës, ku mania për të marrë në dorë gjithë pushtetet po shkatërron aspiratën europiane të shqiptarëve?”, shkruan ndër të tjera Gjosha në statusin e saj.
“Strategjia e BE për zgjerimin, një mundësi për Shqipërinë apo një shans i humbur? Sot prezantohet një nga strategjitë më të rëndësishme mbi perspektivën e zgjerimit të Ballkanit Perëndimor. Duket qartë se BE tashmë për shumë arsye i është rikthyer me seriozitet projektit të saj më të suksesshëm, për hir të stabilitit në Ballkan, por edhe të qytetarëve europianë. I është rikthyer idesë se Ballkani Perëndimor është një mundësi e jashtëzakonshme për të zhvilluar ekonominë europiane, por edhe për të rritur influencën e saj mbi rajonin tonë! BE ka kuptuar nevojën për një reformatim të brendshëm për të rikthyer solidaritetin dhe forcimin e demokracisë dhe institucioneve të saj. E në këtë qasje patjetër që përfitojnë vendet aspirante, ku bën pjesë edhe Shqipëria.
Por ajo që duhet të gjithë të kuptojmë është se ky nuk është një proçes që dhurohet për asnjërin nga ne. Është një proçes bazuar mbi meritë, mbi aftësinë e secilit shtet për të përballuar sfidën e demokracisë, e shtetit të së drejtës, e vlerave të përbashkëta.
Ndërkohë që Serbia dhe Mal i Zi janë lider në rajon me një perspektivë të qartë anëtarësimi në 2025, bazuar mbi plotësimin e kritereve, Shqipëria ende diskuton nëse do të çelë apo jo negociatat! Edhe paragrafi për Shqipërinë rikonfirmonte edhe një herë pasigurinë e Komisionit Europian për plotësimin e një kushti kryesor që është Reforma në Drejtësi.
Drejt cilit tren po shkon Shqipëria? Drejt trenit të vlerave të përbashkëta apo drejt trenit të diktaturës, ku mania për të marrë në dorë gjithë pushtetet po shkatërron aspiratën europiane të shqiptarëve?
Strategjia është një mundësi e artë për të gjithë ne, nëse do ta trajtojmë me seriozitet bashkëpunimin me BE, por në të njëjtën kohë është një shans i humbur për perspektivën 2025. Shqiptarët më shumë se çdo kush tjetër nuk e meritojnë këtë”, theksoi Gjosha.