LSI kundër shtimit të taksave për fermerët

LSI është kundër nismave dekurajuese dhe rënduese ndaj familjeve fermere në vend. Ka qenë ish-ministri i Bujqësisë, Panariti, i cili në një deklaratë për mediat ka deklaruar se LSI është e interesuar për mirëmenaxhimin e integruar të burimeve ujore, por është kundër instumenteve penalizuese që shtojnë barrën e tatimeve dhe taksave, veçanërisht mbi përdoruesit e ujit në zonat rurale.
“Pozicioni i LSI, në raport me Reformën e Ujit dhe për administrimin e integruar të burimeve ujore është i qartë. Të gjithë jemi të interesuar për një mirëadministrim të burimeve ujore të vendit dhe të gjithë mekanizmat, qofshin këto incentiva fiskale apo mekanizma rregullatore duhet t’i shërbejnë sa më mirë administrimit të burimeve ujore. Por këto nuk duhet të kthehen në instrumenta penalizues, që shtojnë barrën e tatimeve dhe taksave, veçanërisht mbi përdoruesit e ujit në zonat rurale”.
Panariti theksoi se, hapat e qeverisë në këtë drejtim janë dekurajuese për masën e madhe të fermerëve, të cilët janë privuar nga investimet prej vitesh në rritjen e kanalizimeve dhe ujësjellësave në fshat.
“Të detyruar që të përballojnë tatime dhe taksa shtesë për përdorimin e ujit, të cilët ata e kanë bërë në mungesë të investimeve qeveritare, me investimet e tyre private. Në fakt, qeveria duhet t’u ishte mirënjohëse atyre, të cilët me sakrificat e tyre me mund dhe me kursimet e tyre kanë investuar në shpimin e puseve dhe në shfrytëzimin e burimeve ujore freatike. Duhet të ndodhte e kundërta, propozohet aplikimi i taksave shtesë, të cilët rëndojnë buxhetet familjare, kur qeveria ka për detyrë të shtronte kanalet, ujësjellësat të investonte në infrastrukturë, rëndohen familjet tona me taksa shtesë përtej barrës së lartë të taksës që janë të detyruar të paguajnë dhe për shërbime të tjera. Ngarkohen me taksë shtesë për përdorimin e burimeve ujore”.
Më tej në deklaratën e tij, Panariti, tha se pusi i ujit për një familje fermere është tejet i rëndësishëm dhe LSI do e kundërshtojë me forcë vendosjen e taksave dhe tatimeve shtesë për familjet fermere.
“Përdorimi i taksës, aplikimi i taksës është një penalitet, është një rëndesë e pamerituar mbi familjet fermere, dhe sigurisht rëndon akoma më shumë gjendjen e tyre të rëndë ekonomiko-financiare. Prandaj qëndrimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim është i prerë. Ne nuk mund të lejojmë që familjet fermere, përdoruesit e ujit në fshat në mungesë të investimeve për ujësjellësa dhe kanalizime të ngarkohen me taksa dhe tatime shtesë për investime që ata kanë bërë me burimet e tyre financiare, me mundet dhe sakrificat e tyre. Prandaj edhe vota jonë në seancën plenare, për këto nisma dekurajuese dhe rënduese mbi familjet fermere do të jetë kundër”.