Kryeplaku bën vetëgjyqësi, rreh e torturon 19-vjeçarin

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Korçë. Kryeplaku i fshatit Biranj të Korçës, Bledi Nurçe, ka rrahur një të ri duke e akuzuar për vjedhje. Bledi Nurçe, 36 vjeç nga fshati Biranj i Korçës, i cili mbante detyrën e Kryeplakut është arrestuar nga policia, pasi akuzohet për dhunimin e një 19-vjeçari.
Sipas policisë, “Më datë 05.02.2018, në fshatin Biranj, Bledi Nurçe ka shkuar tek banesa e K.R, 19 vjeç e ka goditur fizikisht dhe i ka kërkuar këtij të fundit të dilte jashtë banese me pretendimin se e kërkonte Policia, për ta pyetur në lidhje me vjedhjen e disa pajisjeve elektroshtëpiake në banesën e L.M, 45 vjeç, ngjarje e ndodhur më datë 30.01.2018”.
Pasi kanë shkuar tek banesa ku kishte ndodhur vjedhja, Bledi Nurçe sërish ka ushtruar dhunë fizike ndaj K.R, me pretendimin se ky i fundit ishte autor i kësaj vjedhje dhe më pas e ka lënë të lirë. Nga ana e policisë, po punohet për dokumentimin e plotë të ngjarjes.