Fjalët magjike të ambasadores Romana për mbjelljen e vendit me kanabis: E mahnitur nga suksesi

Për herë të parë ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin, ka thënë disa fjalë për drogën e mbjellë në Shqipëri dhe për numrin e madh të azilkërkuesve.
Vlahutin u shpreh se raporti i “Guardia di Financës” tregon për luftën ndaj drogës. Por Vlahutin nuk tha asnjë arsye, se pse vetë ajo si ambasadore e BE-së në Tiranë nuk ka thënë asnjë fjalë për situatën e kanabisit në vend.
‘Pse nuk keni folur për drogën dhe azilkërkuesit’, ishte pyetja e gazetarit Vladimir Lame për Vlahutin.
Përgjigjja e ambasadores Romana Vlahutin ishte: “Nuk e keni dëgjuar mirë, e kemi thënë disa herë. Kemi punuar mjaft fort për t’i përballuar të dyja çështjet edhe raporti i GDF-së ka thënë se është eliminuar në 90%. Të shohim këtë vit. Të shohim raportin në prill të kolegëve në BE se si e kanë parë”. Po çfarë ka thënë realisht ambasadorja Romana për mbjelljen e vendit me kanabis, lexoni pjesë nga intervista e saj.

Intervista 8 shtator 2017
Ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin ka vlerësuar se Shqipëria ka arritur rezultate mahnitëse në luftën ndaj kanabisit. Në një intervistë dhënë në “Vizion Plus”, Vlahutin vlerëson se më i rëndësishëm tani është të luftohet krimi i organizuar.

A.F: Sigurisht që do të ketë një vlerësim zyrtar të mënyrës se si Shqipëria i ka përmbushur kriteret, përfshirë edhe luftën kundër kanabis. Për aq sa mund të shohim deri në këto momente, si është Shqipëria, sipas mendimit tuaj, me luftën kundër kanabisit. Një problem i njohur, i pranuar edhe nga qeveria. Ka qenë një problem i madh në këtë moment. Si mund të vlerësohet?
R.V: Në lidhje me këtë luftë dhe vlerësimin përfundimtar ne varemi nga kolegët tanë dhe Guardia di Finaza , e cila ka marrë në fakt asistencë shtesë financiare nga BE në mënyrë që mbulimet e tyre mbi territor të mbulojnë më shumë se sa mbulonin më parë. Ajo që kemi dëgjuar prej tyre është se ecuria, progresi është goxha i madh, mjaft i madh. Nuk është se dua që të jap një mendim përfundimtar përpara se të japin ato opinionin e tyre përfundimtar, pasi janë ende dhe disa fluturime që do të kryhen në vjeshtë. Megjithatë më duhet të them se ajo që kemi dëgjuar prej tyre është vërtetë e mahnitshme përsa i përket suksesit. Por nuk mund të jem përfundimtare në deklaratën që mund të bëjë derisa të na ketë ardhur gjetjet e tyre përfundimtare.