Ciao, Ciao Conte?

Chelsea është në krizë rezultatesh. Kjo është humbja e dytë radhazi për skuadrën e Antonio Conte-s, i cili tani rrezikon postin e tij. Ishte një tjetër ndeshje zhgënjyese për Blutë e Londrës, të cilët janë dominuar nga Watford në të gjitha aspektet. Conte pranoi se ekipi i tij ishte dëmtuar nga frika dhe dyshoi nëse disa nga lojtarët e tij kanë forcën e karakterit që të lulëzojnë në një klub të madh, pasi kampionët e Premier League u mundën nga Watford. Një humbje e dytë e njëpasnjëshme ka ngjallur presion të mëtejshëm ndaj Conte, i cili ka mbetur duke menduar publikisht nëse do të mund ta kthejë fatin e ekipit. Trajneri italian kishte kërkuar një shfaqje mbështetjeje nga bordi drejtues përpara kësaj ndeshjeje, në një përpjekje për të shuar sugjerimet që ai do të largohet nga klubi para fundit të sezonit. Por, pasi ekipi i tij luajti për një orë me 10 lojtarë, Conte i pa të tijtë të dorëzoheshin në një humbje të tretë në katër ndeshje.
“Ne luajtëm me frikë. Për të luajtur futboll në një klub të madh, kjo do të thotë që ju duhet të keni një personalitet. Është e thjeshtë të luash kur ka besim. Sidomos në këtë lloj momenti, mund të shihni se kush është i gatshëm për të luajtur në një klub të madh, të luajë me personalitet dhe gjithashtu të rrezikojë diçka. Në këtë moment duhet të tregojmë se kemi personalitet. Ne duhet të punojmë, të përpiqemi, por nganjëherë puna nuk është e mjaftueshme për të ndryshuar situatën. Mundohem të vazhdoj. Unë përpiqem të vazhdoj të punoj, për të përmirësuar aspekte të ndryshme të lojtarëve të mi. Por, performanca jonë ishte shumë e dobët. Sigurisht, unë duhet të marr përgjegjësinë. Ndoshta kam marrë vendimin e gabuar për 11-shen e fillimit”, u shpreh Konte.
Konte foli më pas edhe për ecurinë e ndeshjes. “Pashë një vullnet të madh, një dëshirë të madhe në pjesën e dytë, por shumë konfuzion, gjithashtu. Kur arritëm nivelin e duhur të lojës, ne kishim për të menaxhuar situatën, për të kuptuar momentin. Një ekip i madh duhet ta bëjë këtë. Në vend të kësaj, në gjashtë minuta pranuam tre gola të tjerë. Është e drejtë, të gjithë duhet të marrin përgjegjësi: unë dhe lojtarët. Por, që nga fillimi, nuk kam parë besim. Kemi filluar me frikë dhe kjo është situata më e keqe që mund të shoh në fushë si trajner. E ardhmja? Nuk jam i shqetësuar për punën time. Unë punoj çdo ditë dhe jap 120%. Nëse kjo është e mjaftueshme, është në rregull. Përndryshe, klubi mund të marrë një vendim tjetër. Por, unë nuk jam i shqetësuar. Ndërgjegjja ime është e qartë. Unë përpiqem të bëj gjithçka. Nëse nuk është mirë, klubi mund të marrë një vendim tjetër. Jeta vazhdon. Sigurisht, ky është një moment i vështirë. Nuk fitohet me justifikime. Në jetën time, më pëlqen të jem fitues dhe jam i tillë. Tani është shumë e vështirë të parashikohet që kjo situatë të kthehet në një pozicion pozitiv, por unë mund të premtoj se do të punoj për ta ndryshuar atë. Por, e përsëris, niveli i performancës sonë ishte shumë i dobët”, përfundoi Konte.