Bylykbashi: Paratë e paligjshme në tregun politik shqiptar ka volum gjigant

Oerd Bylykbashi, bashkëkryetar i Komisionit të Reformës Zgjedhore deklaroi dje se, paraja e paligjshme sot e disponueshme në tregun politik shqiptar ka volum gjigant. “Paraja e paligjshme që është sot e disponueshme në tregun politik shqiptar është e jashtëzakonshme, me një volum gjigant që tashmë ka ndikuar thelbësisht jo vetëm procesin e financimit të partive, por dhe rezultatin e zgjedhjeve. Prandaj na duhet të shohim jo vetëm kush janë nenet specifike të Kodit Zgjedhor. Do na duhet të rishohim me kujdes dispozitat penale apo në legjislacion tjetër për të patur një kuadër të integruar në mënyrë që paratë, jo vetëm ato publike, dhe çdo lloj financimi tjetër të jetë i verifikuar dhe të mos jetë financim që përdoret në proces politik për të blerë pushtet. Çështje thelbësore në këtë aspekt janë: Sa të shëndosha janë burimet e financimit? Duhet të reduktohen shpenzimet e partive politike në periudhë zgjedhore dhe jo zgjedhore në mënyrë të atillë që të mos ketë nevojë për shpenzime të kota, apo të krijohen hapësira që në kuadër të shpenzimeve politike të ketë korrupsion në partitë politike. U ndërmorën hapa të rëndësishme para zgjedhjeve, që bënë reduktim të dukshëm të shpenzimeve, madje qenë veprime që më parë dukeshin tabu, por funksionuan duke sjellë një përmirësim të dukshëm, por të pamjaftueshëm. Financimi i partive në mënyrë absolute nuk mund të jetë për blerje vote. Por ne e dimë që ky është një fenomen shumë i rëndë në Shqipëri. Arrihet deri në shifra 20% e zgjedhësve të prekur nga format e shitblerjes së votës. Sikur dhe gjysma e saj të jetë është shumë e rëndë. Duhet të bëjmë çmos të bëjmë një shkëputje sa më të qartë mes financimit të partive politike dhe çdo lloj paraje tjetër që qëndron rrotull dhe të forcojmë politikën penale”, thekson Bylykbashi. Partia Socialiste dhe ajo Demokratike janë shprehur dakord për të reduktuar shpenzimet në fushatat zgjedhore, por dhe në vitet kur nuk ka votime. Deklarata është bërë në konferencën e posaçme të realizuar prej KQZ, ku kryetari i këtij Komisioni Klement Zguri e cilësoi të papranueshme mungesën e transparencës në financimin e partive. “Nuk është gabim të thuash se cilësia e Reformës së ardhshme Zgjedhore, matësin e suksesit e ka tek transparenca financiare dhe e shpenzimeve të fushatës. Sa më shumë parti do të pranojnë transparencën dhe llogaridhënien publike si standarde të domosdoshme zgjedhore, aq më i madh do të jetë kontrolli i shoqërisë mbi ligjshmërinë e fushatave. Aq më i vogël do të jetë abuzimi dhe manipulimi i zgjedhësve. Nga këndvështrimi i KQZ ritheksoj se detyra nuk është e papërballueshme, mjafton të lexojmë me kujdes rekomandimet. Duhet kuadër i ri rregullator, i qartë dhe i harmonizuar, transparencë paraprake e fondeve të fushatës nga partitë, bashkëpunim i plotë i partive me monitoruesit, metodologji moderne monitorimi dhe raportimi në kohë i gjetjeve. Publiku duhet të ketë akses të plotë tek informacioni për financimin përpara dhe pas datës së zgjedhjeve. Zhvillimi i fushatave zgjedhore luksoze dhe mungesa e transparncës së financimit të partive politike, për një vend të vogël si Shqipëria është fenomen i papranueshëm, pasi ushqen korrupsionin zgjedhor dhe politik. Cenon besimin e publikut tek zgjedhjet dhe demokracia. Kriminalizon procesin, deligjiton përfaqësimin dhe rrënon llogaridhënien politike”, tha kreu i KQZ, Klement Zguri.