Beckham: Championsi, momenti i Realit e Ronaldos për të shkëlqyer

David Beckham pranoi se Real Madridi do të përballet me një detyrë të vështirë kundër PSG-së, por beson se dopieta e fundit në Ligën e Kampioneve do ta ndihmojë ekipin spanjoll për të shkëlqyer. Real Madridi u bë ekipi i parë që mbrojti titullin e Ligës së Kampionëve, sezonin e kaluar, ndërsa, gjithashtu, fitoi La Liga-n. Këtë sezon, lojtarët e Zinedine Zidane kanë dhuruar një paraqitje për t’u harruar në kampionat. Kampionët spanjollë janë të katërtit në La Liga dhe me një distancë tronditëse prej 19 pikësh larg rivalëve të hidhur të Barcelonës. Aktualisht, “Los Blancos” po përgatiten të përballen me liderët e Ligue 1, PSG-në, më 14 shkurt, në Champions.
Duke pranuar sfidën e PSG-së, Beckham tha nëpërmjet “Marca”: “Do të jetë e vështirë me PSG-në, që po kalon një formë të lartë në këtë moment. Ky është momenti për “Los Blancos”, pasi e duan këtë garë. Shikoni lojtarët që ata kanë, si Cristiano Ronaldo. Ky është momenti që lojtarët kryesorë të dalin në pah dhe loja do të jetë e pabesueshme për t’u parë”.
Beckham fitoi tituj si me Real Madridin, edhe më PSG-në, gjatë një karriere të shkëlqyer, por 42-vjeçari nuk pranoi të merrte anë. “Është shumë e vështirë që të zgjedh, sepse kam luajtur me të dyja klubet dhe kanë shumë pasion, shtoi anglezi. Unë kisha katër vite të mëdha në Madrid, nuk isha kaq gjatë te PSG-ja, por sigurisht fituam ligën dhe ishte e mrekullueshme. E dua klubin, njerëzit dhe tifozët, sepse janë të pabesueshëm. Të njëjtën gjë them edhe për Real Madridin”.