Ballina Aktualitet Maskat terror në Tiranë e Fushë Krujë, grabiten biznese e makina

Maskat terror në Tiranë e Fushë Krujë, grabiten biznese e makina

Vetëm gjatë ditës së djeshme kanë ndodhur dy grabitje nga maskat në Tiranë dhe Fushë Krujë. Bëhet e ditur se një dyqan ka rënë pre e grabitjes gjatë natës mes të dielës dhe të hënës në Tiranë. Në rrugën “Qemal Stafa”, është thyer xhami i dyqanit të një kompanie private, me menaxher shtetasin O.T., ku sipas deklarimeve të O.S. në polici, janë marrë telefona celular dhe sende të tjera.
Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes, pasi është njoftuar për grabitjen, por nuk ka mundur të zbulojë autorët. Policia tha se, po bëhet këqyrja e kamerave të sigurisë, për të zbuluar më shumë mbi ngjarjen si dhe për të identifikuar autorët.
Po ashtu persona të maskuar dhe të armatosur kanë grabitur një banesë në Fushë Krujë. Ngjarja ka ndodhur në mbrëmjen e së dielës. Personat e armatosur kanë hyrë në banesën e B.K. 36-vjeçar dhe nën kërcënimin e armëve mendohet se kanë marrë një sasi bizhuterish, një sasi parash dhe një makinë të tij. Policia ende nuk ka mundur të zbulojë dhe arrestojë autorët.
Dy ditë më parë u grabit një argjendari e njohur tek zona e dollarit në qytetin e Shkodrës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 3:50, ndërkohë që autori i ngjarjes ka arritur të vjedhë rreth 300-400 mijë lekë të reja mall, në një proces që nuk ka zgjatur më shumë se 10 minuta. Ai ka përplasur me makinë qepenin e dyqanit dhe më pas ka thyer xhamat për të hyrë brenda. Ndonëse sinjali i alarmit është aktivizuar, policia nuk ka arritur ta gjejë autorin, por ka mundur të gjejë dhe sekuestrojë vetëm makinën e tij.

Exit mobile version