Çfarë ndodh pas bisedimeve të koalicionit në Gjermani

Nëse bisedimet për koalicionin gjerman përfundojnë me sukses, vjen ora e socialdemokratëve. Anëtarët e kësaj partie do të vendosin për koalicionin me bazë të gjerë me konservatorët. Por çfarë ndodh, nëse ata thonë “Jo”?
Pak pas bashkimit të Gjermanisë, SPD numëronte rreth 1 milionë anëtarë. Ndërkohë vetëm 440.000 vetë janë anëtarë të Partisë Socialdemokrate. Pa miratimin e anëtarëve nuk do të ketë koalicion të madh me konservatorët, thonë krerët e partisë. Kjo do të thotë që 440.000 anëtarët e saj do të marrin një letër nga posta së shpejti, marrëveshjen e koalicionit. Shumë do të lexojnë me vëmendje e do të pyesin-a mund të kuptohet toni socialdemokrat në këtë marrëveshje?

Baza vendos
Ashtu si para katër vjetësh ishin socialdemokratët që e thanë fjalën e fundit për një koalicion me CDU e CSU-në. Ata votojnë me letër me „po” ose „jo”. Kundërshtarët e koalicionit kanë bërë thirrje për anëtarësime të reja që të pengojnë një aleancë të tillë. Vërtet pas kongresit të jashtëzakonshëm, SPD shënon rritje të anëtarësimeve, por nuk dihet nëse anëtarët e rinj janë pro ose kundër koalicionit.

Votim me rreziqe
Ndryshe nga zgjedhjet e fundit, kur 76% e anëtarëve socialdemokratë ishin pro një qeverie të re, kësaj here anëtarët e partisë mund të bëjnë që të bjerë koalicioni me bazë të gjerë. Shumë socialdemokratë nuk shohin se po përmbushen kërkesa të rëndësishme të partisë së tyre. Po ashtu ata ende nuk e pranojnë kthesën që bëri Martin Schulz pas dështimit të negociatave për koalicionin „Xhamajka”. Nëse në fillim ai e pa vendin e SPD-së vetëm në opozitë, tani Schulz po e çon SPD-në rishtazi një koalicion të madh si partneri më i vogël. E kjo megjithëse, SPD nën qeverisjen e Merkelit është dëmtuar gjithnjë e më shumë. Miratimi për Martin Schulz brenda partisë ka rënë dukshëm.

Frika nga rënia
Janë anëtarët e organizatës rinore socialdemokrate që bëjnë thirrje për „jo”. Ata nuk duan më „politikë të emëruesit më të vogël të përbashkët”. „Demokracia jeton nga përplasja e kampeve të ndryshme, por ky ballafaqim nuk zhvillohet dot në një koalicion të madh”, argumenton zëri më i fuqishëm i kundërshtarëve të koalicionit të madh, Kevin Kühnert.
Por çfarë ndodh, nëse anëtarët e SPD-së votojnë kundër koalicionit të madh? „Atëherë ka zgjedhje të reja”, thuhet shpesh. Por kaq e thjeshtë nuk është. As Bundestagu nuk e shpërbën dot veten e as Merkel apo Schulz nuk i shpallin zgjedhjet e reja. Kushtetuta gjermane parashikon stabilitetin e jo zgjedhje të shpeshta të reja. Cilat janë hapat e mundshëm? Në rast të tillë e ka radhën, presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier. Ai mund të propozojë një kandidate apo kandidat për kancelar. Para se të thirret të votojë populli, duhet që përfaqësuesit e tij në Parlament, të mblidhen për të zgjedhur një kancelare apo kancelar të ri. Nëse ajo apo ai vijnë nga qeveri pakice apo shumice, kjo nuk është parësore. Nga një zgjedhje e tillë varen të gjitha zhvillimet e tjera.

Hapi i parë: Zgjedhja e kancelarit?
Presidenti Frank-walter Steinmeier do t’i propozojë pra Bundestagut kandidatin për kancelare ose kancelar. Edhe nëse dështojnë negociatat e koalicionit të madh, me shumë gjasë kandidatja do të jetë Angela Merkel. Ajo është kryetare e partisë që fitoi më shumë vota në zgjedhje. Për zgjedhjen e saj, ajo ka nevojë për 709 vota deputetësh, shumicën. Deri më tani të gjithë kancelarët gjermanë, edhe Merkel, janë zgjedhur në raundin e parë.
Në këtë rast, ka gjasa që të kemi ndryshime. Pas dy përpjekjeve të dështuara për koalicione, Merkel me gjasë do të humbiste shumicën. Pas kësaj – sipas Kushtetutës-ka një afat prej 14 ditësh. Në këtë kohë, Bundestagu mbi bazën e propozimeve të veta do të mund të propozojë një kancelare apo kancelar. Edhe këtu kërkohet shumica absolute. Nëse kjo nuk arrihet, duhet që të zhvillohet “pa vonesë një votim i ri”, parashikon neni 63 i Kushtetutës që ul barrierën – në zgjedhjen finale mjafton një shumicë e thjeshtë e votave.

Qeveri pakice apo zgjedhje të reja?
Sërish vjen radha e presidentit gjerman. Ai duhet të vendosë, nëse do të emërojë si kancelar kandidatin e zgjedhur që duhet të kërkonte gjithmonë në Parlament shumica që variojnë. Por ai ka edhe një alternativë: Shpërbërjen e Bundestagut dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja brenda 60 ditësh. Krerët e SPD-së ende nuk flasin për zgjedhje të reja, kur AfD ka rrezik që ta parakalojë këtë parti. Më shumë ajo do të bëjë një tur për të bindur anëtarët për miratimin e marrëveshjes së koalicionit, dhe nuk do të bëjë të ditur, se cilat poste do të zënë krerët e saj në kabinetin e ri. Për Martin Schulzin flitet për postin e ministrit të Jashtëm në një kabinet të ri. Edhe kjo mund të forcojë kampin e kundërshtarëve të koalicionit mes socialdemokratëve.