Prokuroria e Katanias mbyll hetimet për Habilajt: “Trafik me hije politike”

Prokuroria e Katanias ka zyrtarizuar dje mbylljen e hetimeve për operacionin “Rosa dei venti”, i cili çoi në shkatërrimin e një grupi kriminal italo-shqiptar i drejtuar nga shqiptari Moisi Habilaj.
Hetimet e operacionit “Rosa dei venti” të koordinuar nga prokurori Andrea Bonomo janë zyrtarizuar të mbyllura për të akuzuarit Moisi Habilaj, Fatmir Minaj, Maridian Sulaj, Angelo Busacca, Antonino Riela, Gianluca Passavanti, Vincenzo Spampinato, Fabio Spampinato, Antonio Greco, Giuseppe Greco, William Patane, Rosaria Giuliano. Massimiliano Maria Brundo, Carmelo Sandro Bertolini, Enrico Maria Gianquinta.
Gjatë këtyre ditëve disa prej të akuzuarve janë marrë në pyetje nga Prokuroria e Katanias. Akuza ndaj tyre është pjesëmarrje në organizim kriminal, trafik ndërkombëtar droge e trafik ndërkombëtar armësh.
Gjatë ditëve të ardhshme pritet vendimi i Prokurorisë së Katanias për dërgimin e çështjes në gjykatë, e cila më pas vendos datën e nisjes së procesit gjyqësor.
Ky lajm është publikuar dje dhe nga mediat lokale italiane, të cilat shkruajnë se, “zbulimi i këtij grupi kriminal hodhi hije të shumta ndaj aftësisë së institucioneve shqiptare për të luftuar trafikun ndërkombëtar të drogës. Shkak kanë qenë, sipas Prokurorisë, lidhjet farefisnore të Moisi Habilajt, një nga kapot drejtuese të këtij grupi kriminal, me ish-ministrin e Brendshëm shqiptar Saimri Tahiri”.
Sipas hetimeve të Policisë Financiare italiane, ky grup kriminal ka trafikuar nga Shqipëria drejt Italisë drogë dhe armë në vlerë miliona euro.
Mungon në listën e personave të akuzuar e ndaj të cilëve janë mbyllur hetimet emri i Nazer Seitit, i konsideruar nga hetimet si përgjegjësi logjistik i këtij grupi kriminal. Ai është ekstraduar pak ditë më parë nga Tirana drejt Italisë, e zyrtarizimi i mbylljes së hetimeve ndaj tij do tëmarrë kohën e nevojshme nga autoritetet italiane. Një tjetër person i shpallur në kërkim nga autoritetet italiane është vëllai i Moisi Habilaj, Florian Habilaj.

“Trafiku me hije politike” i drejtohet Gjykatës

“Gomonet përdoreshin për të transportuar marijuanë nga Shqipëria drejt Katanias”! Kështu e nis artikullin për mbylljen e hetimeve të dosjes “Habilaj” portali italian “catania.livesicilia.it”. Në këtë artikull shkruhet se çështja që ka trazuar politikën shqiptare është mbyllur nga Prokuroria e Katanias dhe të akuzuarit pritet të dalin përpara Gjykatës.
“Një tregti e paligjshme e narkotikëve që ka hedhur hije përfshirë edhe politike, për aftësinë e institucioneve shqiptare në lidhje me parandalimin e trafikut ndërkombëtar të drogës. Prokuroia e Katanias ka gjetur lidhjet familjare mes kreut të bandës Moisi Habilaj dhe ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Investigimi i Prokurorisë së Katanias, i cili i dha rezultatet në një aksion blitz tetorin e kaluar, ka krijuar një sërë polemikash me nivel politik në Shqipëri. Kjo edhe për shkak se disa vite më parë, një ish-polic bëri akuza të rënda ndaj mbrojtjes që qeveria i jepte trafikantëve të drogës nga institucionet e korruptuara.
Çështja “Rosa dei Venti”, e drejtuar nga prokurori Andrea Bonomo tashmë është mbyllur. Përfundimet e organit të akuzës i janë përcjellë Gjykatës për Angelo Busacca, Moisi Habilaj, Fatmir Minaj, Gianluca Passavanti, Antonino Riela, Vincenzo Spampinato, Maridian Salaj, Fabio Spampinato, Carmelo Sandro Bertolini, Enrico Maria Giaquinta, William Patanè, Massimiliano Maria Brundo, Rosario Giuliano, Antonio Greco dhe Giuseppe Greco. Gjatë kësaj periudhe, disa nga të akuzuarit i janë nënshtruar pyetjeve para prokurorit”, shkruhet në artikull.